Bojkoti i avokatëve, dështon gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj drejtorit të AKK-së

20190109_122903
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Janar 9, 2019

Prizren – Mungesa e të gjithë mbrojtësve, ka bërë që të dështojë seanca ndaj drejtorit të Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziut, i cili po akuzohet për keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Për këtë rast, i akuzuar është edhe Xhavit Shabani, i cili ngarkohet me veprën penale të uzurpimit të pronës së paluajtshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e avokatëve, për shkak se të njëjtit kanë respektuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), për bojkotimin e punës së tyre, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të KGJK-së për kufizimin e qasjes së tyre në gjykata.

Në mungesë të kushteve ligjore, kjo seancë është shtyrë, si dhe gjykatësi i kësaj çështje, Artan Sejrani, seancën e radhës e caktoi më 7 shkurt 2019, prej orës 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor të vitit 2018, Ismet Kryeziu, si zyrtar ligjor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, gjatë periudhës kohore 2007-2016 ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për personin tjetër, me ç’rast i ka shkaktuar dëm personave të tjerë.

Aktakuza thotë se më 21 maj 2007, Kryeziu, ka marrë aktvendim në kundërshtim me Ligjin mbi tokën ndërtimore, me të cilin vendim ka aprovuar pjesërisht ankesën e ”Mali – Impex” në Prizren për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit të një pjese të ngastrës, pronar i së cilës ishte Komuna e Prizrenit.

Me këtë, Ismet Kryeziu, akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, i akuzuari i dytë Xhavit Shabani, ngarkohet me veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme sepse, sipas aktakuzës, në vitin 2012 e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme e kishte uzurpuar pronën e paluajtshme shoqërore, në pronësi të Komunës së Prizrenit, së bashku me të gjitha objektet e ndërtuara në të.

Në aktakuzë thuhet se Shabani kishte uzurpuar hapësirat të cilat i takojnë Komunës së Prizrenit në bazë të kontratës mbi realizimin e tregut të qytetit në lagjen ”Ortakoll” dhe ankesave të kontratës në fjalë.

Me këtë, Xhavit Shabani, akuzohet se kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës se paluajtshme” nga neni 332 i KPRK-së.