Boban Bogdanoviq i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare deklarohet i pafajshëm
Raporton : Syzana REXHEPI
Gjilan – Zyrtari për furnizim të mallit sanitar në Komunën e Kllokotit, Boban Bogdanoviq, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Në këtë seancë janë marrë në pyetje dëshmitarët Sasha Mirkoviq dhe Marko Sfiloanoviq. Ndërsa mungoi përfaqësuesi i Komunës së Kllokotit edhe pse ishte ftuar me ftesë të rregullt.
Dëshmitari Sasha Mirkoviq tha se në vitin 2013 kishte qenë Kryetar i Komunës së Kllokotit dhe për pranimin e mallrave kishte qenë i caktuar Boban Bogdanoviq dhe disa persona tjerë. Mirkoviq tha se malli që kishte ardhur në Komunë është shpërndarë dhe nuk beson që ka pasur keqpërdorim nga ana e Bogdanoviq, por theksoi se të gjitha këto akuza ndaj tij janë për shkaqe politike. Ai tha se edhe dorëzuesi i mallit edhe pranuesi kanë pasur për obligim që të nënshkruajnë.
Ndërsa dëshmitari Marko Sfiloanoviq tha se gjatë kohës sa kishte qenë nënkryetar i Komunës së Kllokotit nuk ishte iniciuar asnjë procedurë disiplinore ndaj Bogdanoviqit. Ai tha se di që ka qenë i ndershëm në punën që e ka bërë dhe nuk beson se ka keqpërdorur punën e tij.
Seanca e radhës u caktuar për 18 tetor 2016 në ora 13:00.
Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori Arben Kadriu, i cili akuzon Boban Bogdanoviq, zyrtar për furnizim të mallit sanitar në Komunën e Kllokotit për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Sipas aktakuzës, Bogdanoviq gjatë periudhës së vitit 2013, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, nuk i kishte kryer detyrat për të cilat kishte qenë i detyruar. Ai kishte pranuar mallin nga kontraktuesi NTP “Ermali Com” dhe obligimin që të njëjtën dërgesë ta autorizojë për në destinacionin e caktuar, Bogdanoviq nuk posedon mbulesë se ku i ka dërguar mallërat të pranuara sipas fletë dërgesave në vlerë prej 5.013.00, dëm ky i shkaktuar Komunës së Kllokotit