Blerim Isufaj dhe Haki Gecaj përsëri në garë për kreun e PSRK-së, sërish paralajmërohet kundërshtim

KPK
Author

Raporton: Gzim SHALA

Prill 15, 2019

Prishtinë – Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), ka dërguar përsëri për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), dy kandidatët, Blerim Isufaj dhe Haki Gecaj.

Votimi ishte paraparë të mbahej më 10 prill të këtij viti, por që një proces i tillë ishte shtyrë për një datë tjetër, për arsye se KPK-ja kishte aprovuar kundërshtimet e dy kandidatëve që nuk ishin nominuar për fazën finale, Atdhe Demaj dhe Armend Hamiti.

Në atë mbledhje, KPK-ja kishte kërkuar nga Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve që ta arsyetonte më shumë raportin ku kishte rekomanduar për këtë post, ish-kryesuesin e KPK-së Blerim Isufaj dhe prokurorin Haki Gecaj.

Kryetari i këtij komisioni, prokurori Besim Kelmendi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se raporti është plotësuar sipas kërkesës së KPK-së dhe ai u është dërguar palëve.

“Kërkesa e KPK-së nuk ka qenë diçka rreth poentimit apo vlerësimit. KPK ka kërkuar që komisioni të jep një arsyetim më të madh të këtij raporti, gjë që komisioni e ka bërë. Raporti u është dërguar palëve të premten e kaluar, dhe ndaj të njëjtit ka afat 5 ditë për kundërshtime. Ne do të presim afatin dhe në rast se ka kundërshtime, të njëjtat do t’ia bashkëngjisim raportit dhe do ta dërgojmë në KPK”, ka thënë Kelmendi.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, kandidati Armend Hamiti ka paralajmëruar përsëri kundërshtim ndaj këtij raporti, duke thënë se atë do ta bëjë ditëve në vijim, pasi që ende është duke e analizuar raportin.

Ndërsa, kandidati tjetër Atdhe Demaj, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se pasi që ende nuk e ka analizuar raportin, nuk ka vendosur nëse do të bëjë ose jo kundërshtim në KPK.

Ndryshe, votimi për kreun e ri të PSRK-së ishte paraparë të mbahej më 10 prill 2019, por ky proces ishte shtyrë, pasi KPK kishte aprovuar pjesërisht kundërshtimet e kandidatëve Atdhe Demaj dhe Armend Hamiti, vendim të cilin e kishte marrë me dyer të mbyllura.

Në garë për këtë pozitë, janë ish-kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj, Haki Gecaj, Atdhe Demaj dhe Armend Hamiti.

Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve për Kryeprokuror të ri të PSRK-së kishte rekomanduar ish-kryesuesin e KPK-së, Blerim Isufaj, të cilin e kishin vlerësuar me 40.1 pikë, kurse Haki Gecaj, ishte vlerësuar me 42.9 pikë.

Kurse, dy kandidatët që nuk kishin kaluar në fazën finale, Atdhe Demaj, ishte vlerësuar me 31.8 pikë, ndërsa Armend Hamiti ishte poentuar me 29.2.

Deri më tani, pozitën e Kryeprokurorit të PSRK-së e ka mbajtur prokurori Reshat Millaku.

Millaku ishte zgjedhur në krye të PSRK-së me 16 shtator 2016.

Zgjedhja e kryesuesit të ri të PSRK-së bëhet pas pensionimit të Millakut.

Millaku është pensionuar me 4 prill të këtij viti, derisa anëtarët e KPK-së janë njoftuar për këtë pensionim me 10 prill të këtij viti.

Konkursi për Kryeprokuror të ri të PSRK-së është hapur nga KPK, më 1 mars 2019 dhe është mbyllur më 15 mars 2019.

Më 1 mars 2019, kur edhe ishte shpallur konkursi për Kryeprokuror të PSRK-së, KPK kishte themeluar Komisionin për Vlerësimin e Kandidatëve për Kryeprokurorë të PSRK-së, i përbërë nga kryesuesi Besim Kelmendi dhe anëtarët Drita Hajdari dhe Xhevdet Bislimi.

Më pas, prokurorja speciale Drita Hajdari kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Në një përgjigje me shkrim nga KPK-ja, për “Betimi për Drejtësi”, thuhej se dorëheqja e Hajdarit është bërë për arsye personale.

Në këtë përgjigje thuhej se anëtarja e komisionit, Drita Hajdari, është zëvendësuar nga anëtari rezervë i këtij komisioni, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti.

Edhe vetë Haxhi Dërguti njëherë kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, por më pas kishte deklaruar se e kishte revokuar dorëheqjen e tij. /Betimipërdrejtësi