BKS-ja ushton revizion, ndërpritet shqyrtimi gjyqësor në rastin ku paditësja po kërkon kthim në vendin e punës  

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Është ndërprerë shqyrtimi gjyqësorë pasi që Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), ka ushtruar revizion ndaj vendimit të Apelit, në rastin ku nga e njëjta paditësja V.O. kërkon kthimin në punë dhe anulimin e vendimit për shkëputjen e marrëdhënies së punës. Shkresat e lëndës duhen dërguar në Gjykatën Supreme.

Prezent në këtë seancë ishin përfaqësuesi i paditëses O., avokati Skender Musa dhe përfaqësuesi i BKS Faik Sylejmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Musa tha se e kanë pranuar ekspertizën financiare dhe të njëjtën e kundërshtojnë pasi që nuk e pasqyron gjendjen faktike dhe nuk është llogaritur kamata andaj ka propozuar kthimin në plotësim ekspertizë.

I njëjti ka shtuar se në bazë të nenit 60 nënparagrafi 1.1 i paragrafit 1 të Ligjit të Punës, të kalkulohet dyfishi i pagave, pasi që gjykata e Apelit ka kërkuar që të bëhet vlerësimi i padisë dhe konform këtij neni pasi që këtë pjesë të ankesës e ka konsideruar si të bazuar.

Në anën tjetër Sylejmani ka thënë se nuk kanë vërejtje rreth ekspertizës financiare dhe e ka kundërshtuar propozimin për kthimin në plotësim të ekspertizës financiare pasi që kamata llogaritet në procedurë përmbarimore sipas aktgjykimit.

Gjykatësi Dren Rogova pasi që ka konsideruar se llogaritjet e dyfishit të pagave dhe kamatës nuk janë konstatime të domosdoshme të ekspertizës, e ka refuzuar propozimin e avokatit Musa.

Ndërsa gjykatësi Rogova e ka lejuar propozimin e bërë në seancën e 21 prillit 2022, nga ana e avokatit Musa për zgjerimin e padisë në kuptimin objektiv, për anulimin e vendimit të BKS të 15 dhjetorit 2015.

Mirëpo Rogova e ka hedhur poshtë si të pasafatëshme kërkesën për anulimin e vendimit të 15 dhjetorit 2015.

Në fund të kësaj seance Rogova ka thënë se pasi që BKS-ja në këtë çështje kontestimore ka ushtruar revizon, gjykata vlerëson se shkresat e lëndës duhen dërguar në Gjykatën Supreme, që fillimisht të vendoset ndaj revizionit e pastaj të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor në këtë çështje kontestimore.

Pas ankesës së të paditurës BKS, Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka refuzuar të njëjtën ankesë pjesërisht si të pabazuar, duke aprovuar të njëjtën pjesërisht si dhe ankesën e paditëses O., pasi që në gjetjet e Apelit, ankesa e paditëses është e themeltë ndërsa e të paditurës, pjesërisht e themeltë.

Sipas aktgjykimit të Apelit, është prishur aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 27 nëntor 2019 në pikën 3 dhe 4 të dispozitivit, që ka të bëjë me pjesën e gjykuar për kompensimin e të ardhurave personale, kamatën dhe shpenzimet e procedurës duke e kthyer për këtë pjesë përsëri në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë.

Po ashtu sipas Apelit pjesa 5 e dispozitivist të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë mbetet e pashqyrtuar.

Me aktgjykimin e 27 nëntorit 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadië e paditëses V.O, duke e anuluar vendimin e të paditurës së 22 janarit 2016 për ndërprerjen e kontratës së punës së paditëses.

Në aktgjykim thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka detyruar BKS-në që t’ia paguaj paditëses në emër të kompensimit të ardhurave personale për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës  nga periudha 1 janar 2016 deri më 31 mars 2019 t’ia paguaj shumën prej 100.900.80 euro .

Ndërsa  sipas këtij aktgjykimi  thuhet se për periudhën 1 prill 2019 deri më 30 qershor 2019 t’ia paguaj, respektivisht shumën e përgjithshme prej 103,488.00 euro, në emër të kontributit pensional shumën prej 6,000.00 euro si dhe në emër të tatimit në pagë shumën 10,512.00 euro me kamatë prej 8% nga 1 prilli 2019 deri në pagesën definitive.

Po ashtu sipas këtij gjykimi Gjykata Themelore në Prishtinë ka detyruar BKS-në që paditëses t’ia paguaj shpenzimet procedurale në shumë 1,892.50 euro, ndërsa pjesën tjetër të padisë, për kthimin në vendin e punës e ka refuzuar si të pabazuar.

Ndryshe, sipas padisë së 19 shkurtit 2016 paditësja V.O. po kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimit anulimin e vendimit të 22 janarit 2016 si dhe kthimin në vendin e punës.

Sipas padisë O. ka lidhur kontratë me afat të caktuar të nënshkruar me 15 qershor 2015 me BKS  ndërsa e njëjta është emëruar në pozitën drejtoreshe e Kartonit të Gjelbërit dhe MOU nga periudha 1 korrik 2015 deri me 30 qershor 2019, me pagese mujore 3,000.00 euro.

Ndërsa sipas padisë, Këshilli Administrativ i BKS, me propozim të Komtetit për Financa dhe Buxhet  kishte nxjerrë vendimin ë 15 dhjetorit 2015 te të cilin, të paditurës O. i ishte ulur paga mujore nga 3,000.00 euro në 1,500.00 euro dhe i ishte dërguar kontrata e re për nënshkrim, ndërsa me vendimin e 19 janarit 2016 Këshilli Administrativ i BKS, ka ndryshuar kontratat e punës me obligim që të nënshkruhen.

Lidhur me këtë sipas padisë, paditësja ka pranuar email më 20 janar 2016 me përkujtim se data e fundit për nënshkrimin e kontratave është 20 janari 2016, më pas më 22 janar 2016, BKS ka nxjerrë vendimin ku thuhet se paditëses O. i ndertët marrëdhënia e punës, ndaj të cilit vendim paditësja ka ushtruar ankesë më 25 janar 2016 por pa marrë përgjigje në afatin ligjor të paraparë.

Po ashtu sipas padisë, lidhur me vendimin e lartcekur, Inspektoriati i Punës bazuar në kompetencat ligjore, më 11 janar 2016 ka theksuar se vendimi i atillë nuk është në përputhje me dispozitat ligjore andaj është jo ligjor.

Tutje sipas padisë, O. i është drejtuar edhe guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), si autoritet mbikëqyrës i BKS më 27 janar 2016 për ta njoftuar lidhur me mosmarrëveshjet me BKS.

Mbi këtë bazë paditësja kërkon të detyrohet e paditura BKS t’ia paguaj 2016 shumën prej 3,000.00 euro bruto për ç’do muaj duke filluar prej muajit janar deri në kthimin në vendin e aj të punës, me kamatë 8% dhe të detyrohet të njëjtës t’ia paguaj shumën në emër të dëmit jomaterial për fitimin e humbur dhe po ashtu edhe shpenzimet e procedurës.

Ndërkaq, me precizimin e padisë së 19 shtatorit 2019, paditësja ka kërkuar nga BKS kompensimin në emër të pagave për periudhën 1 janar 2016 deri më 31 mars 2019 t’ia paguaj shumën 100,900.80 euro, kurse nga data 1 prill 2019 2.587.20 euro me kamatë ligjore 8% nga data e paraqitjes së padisë deri në pagesën definitive, deri në kthimin në vendin e punës.

Gjithashtu, sipas precizimit paditësja ka kërkuar nga BKS t’ia paguaj edhe kontributin pensional në shumën prej 5,858.00 euro, kurse në emër të kontributit pensional  nga 1 prilli 2019 shumën prej 150.00 euro, në emër të kontributit pensional, e deri në kthimin në vendin e punës.

Po ashtu, sipas precizimit e njëjta ka kërkuar nga BKS t’ia paguaj edhe tatimin në paga në shumë prej 10,249.00 euro, kurse nga data 1 prill 2019 shumën prej 262.80 euro deri në kthimin në vendin e punës, po ashtu në emër te shpenzimeve te procedurës kontestimore shumën prej 522.50 euro.

Në përgjigjen në padi të datës 31 janar 2019 BKS, ka kundërshtuar padinë dhe kërkesëpadinë r paditëses O. si të pabazuar duke thënë se vendimet e BKS nuk kanë qenë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me paditësen por veprimet e të njëjtës kanë rezultuar në ndërprerjen e marrëdhënies së punës./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë