BKS-ja kërkon mbi 30 mijë euro rimbursim dëmi për aksidentin e vitit 2008 në Lipjan

20190809_092306
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Gusht 9, 2019

Drenas – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), ka paditur Fidan Doberdolanin, nga i cili kërkon rimbursimin e dëmit në shumë prej mbi 30 mijë euro, për aksidentin që kishte ndodhur më 8 maj të vitit 2008.

Në seancën e së premtes, ka munguar i padituri Doberdolani, për të cilin gjykatësi i çështjes, Daut Behrami, ka njoftuar se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Përfaqësuesja e BKS-së, Mimoza Kllokoqi, ka deklaruar se mbesin pranë kërkesëpadisë për rimbursimin e dëmit, në shumën prej 30.689 euro, për dëmet e shkaktuara nga aksidenti.

Ajo i ka propozuar gjykatës që të bëhet leximi i shkresave të lëndës dhe të aprovohet kërkesëpadia.

Gjithashtu, ajo ka bërë korrigjimin e padisë sa i përket bazës juridike, pasi sipas saj, në padi janë thirrur në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2012, kurse në atë kohë ka qenë në fuqi Rregulli nr.3 i Bankës Qendrore të Kosovës.

Seanca ka vazhduar me leximin e provave dhe fjalën përfundimtare.

E autorizuara e palës paditëse, ka thënë se pas leximit të provave në shkresat e lëndës është vërtetuar baza juridike e kërkesëpadisë, duke u bazuar deri në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, BKS-ja ka qenë e obliguar të kompensojë palën e dëmtuar në aksident dhe mbi këtë bazë, ajo ka thënë se kërkojnë rimbursimin e mjeteve.

Po ashtu, nga gjykata ajo ka kërkuar që të detyrohet i padituri që në emër të rimbursimit të dëmit të shlyej obligimin ndaj BKS-së, me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara pa destinim të caktuar në Bankat e Kosovës, nga data e ushtrimit të padisë si dhe të paguajë shpenzimet e procedurës.

Ndryshe, në padinë e ushtruar më 24 gusht 2015, thuhet se i padituri më 8 maj 2008, me automjetin “Ford”, ka shkaktuar aksident trafiku në Lipjan, ku si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kishte pësuar Edon Morina.

Sipas padisë, vetura e të paditurit ka qenë i pasiguruar, respektivisht i kishte skaduar afati i periudhës së sigurimit në momentin e aksidentit, në ndërkohë i dëmtuari ka ushtruar padi për kompensim dëmi ndaj BKS-së, e cila është e obliguar që ta kompensojë këtë dëm.

Në padi thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, më 20 shkurt të vitit 2015, e kishte obliguar BKS-në që të dëmtuarit nga ky aksident, t’i kompensohet shuma prej 30.689 mijë euro.

Me anë të kësaj padie, BKS-ja kërkon nga gjykata që të nxjerr aktgjykim me të cilin do të aprovohet kërkesëpadia e saj si e bazuar dhe të detyrohet i padituri që BKS-së t’i kompensojë shumën prej 30.689.00 në emër të rimbursimit të dëmit, të shkaktuar në aksidentin e trafikut më 8 maj 2008, në Lipjan. /BetimipërDrejtësi