BKS-ja dhe paditësi arrijnë pajtim gjyqësor për kompensimin e dëmit nga aksidenti në trafik

foto fatmir baloku
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Maj 14, 2019

Pejë – Ka përfunduar me pajtim gjyqësor procedura kontestimore, në mes paditësit Naim Lajqi dhe të paditurës, Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), lidhur me kërkesën për kompensim dëmi material dhe jo material, të shkaktuar si pasojë e aksidentit në trafik.

Në Gjykatën Themelore në Pejë, të martën, i autorizuari i të paditurës BKS, Rifat Kelmendi, ka propozuar që të arrihet një pajtim gjyqësor, duke e ofruar shumën prej 1.100 euro, e të cilën ofertë e pranoi edhe i autorizuari i paditësit, avokati Besim Ahmetaj.

Pajtimin gjyqësor e aprovoi edhe gjyqtari i çështjes, Fatmir Baloku, me ç’rast BKS-ja u detyrua që në afat prej 15 ditësh, t’ia paguajë paditësit Naim Lajqi, shumën prej 1.100 euro, në emër të dëmit material dhe jo material, si dhe shumën prej 259 eurove, për shpenzimet procedurale.

Ndryshe, paditësi Naim Lajqi, kishte ushtruar padi më 1 gusht 2018, me të cilën ka kërkuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, t’ia kompensojë dëmin material dhe jo material që pretendonte se i ishte shkaktuar në aksident trafiku.

Në padi thuhet se me 17 maj 2018, në fshatin Llabjan, Komuna e Pejës, kishte ndodhur një aksident trafiku si pasojë e vozitësit Shkodran Idrizaj, i cili në momentin e aksidentit ka qenë me polisë të skaduar të sigurimit.

Andaj, përmes padisë, paditësi Lajqi kishte kërkuar që t’i kompensohet dëmi nga e paditura BKS, kurse për lartësinë e dëmit do ta precizonin padinë pasi që të nxjerrën ekspertizat mjekësore. /Betimipërdrejtësi