BKS arrin marrëveshje gjyqësore me të paditurin për rimbursimin e dëmit në vlerë mbi 2 mijë euro

Lipjan
Author

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Korrik 21, 2021

Lipjan – Konteksti civil mes paditëses Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), kundër të paditurit Fatlum Selimi, ka përfunduar me marrëveshje gjyqësore të mërkurën në Fjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan.

Sipas marrëveshjes,  i padituri Selimi  detyrohet që BKS-së t’ia rimbursoj dëmin material dhe jomaterial në shumën prej 2.444,00 euro, përfshirë edhe taksën gjyqësore në vlerë 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë pajtimit gjyqësor, gjykatësi Zenel Tasholli  tha se shumën prej 2 mijë e 474 euro, i padituri do ta paguaj me këste mujore nga 150 euro, duke filluar nga 3 gusht 2021, pasi paraprakisht i padituri ka bërë një kërkesë të tillë.

Fillimisht, përfaqësuesja e BKS-së, avokatja Dardane Ramaja tha se qëndrojnë në tërësi pranë kërkesëpadisë, ndërsa i propozoi të paditurit që vlerën e rimbursimit në total prej 2.444 euro si dhe shpenzimet gjyqësore në emër të taksës t’a paguaj me këste nga 250 euro duke filluar nga ky muaj e deri në përfundim të vlerës.

Ndërsa, i padituri ka deklaruar se është i gatshëm që dëmin e shkaktuar ta paguaj, nëse i mundësohet ta paguaj më këste pasi që siç ka thënë ai, nuk ka kushte financiare ta përmbushë në tërësi borxhin.

I njëjti kërkoi që t’i mundësohet të paguaj nga 150 euro në muaj deri në pagesën definitive të borxhit kryesorë, si dhe taksës gjyqësore në shumë prej 30 euro.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 27 mars 2019, paditësi Byroja Kosovare e Sigurimeve po kërkon nga i padituri rimbursimin e dëmit material dhe jomaterial në shumë prej 2.444,00 euro, si pasojë e aksdientit të shkaktuar nga ky i fundit.

Në padi thuhet se i padituri, më 24 korrik, rreth orës 15:30 në Ferizaj, ka shkaktuar aksident trafiku me automjetin “FORD”, ku deri te aksidenti kishte ardhur kur automjeti “A” të cilin e drejtonte Fatlum Selimi, nga pakujdesia i kishte shkaktuar dëme materiale të dëmtuarve Florent Zymeri, Bujar Beqiri dhe Ardit Bryma.

Sipas padisë, automjeti i cili ishte shkaktar i ketij aksidenti në momentin e shkaktimit të tij ka qenë pa mbulesë siguruese, respektivisht me afat të skaduar të policës së sigurimit.

Tutje, në padi thuhet se paditësi në procedurën jashtëgjyqësore ju kanë drejtuar të paditurit, por nuk kanë mundur që çështjen ta mbyllin, andaj paditësi në respektim të dispozitave të ligjit për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, neni 18 paragrafi 1, përmesë padisë dhe konform dispozitave të LMD-së, që të detyrohet i padituri Fatlum Selimi që paditësit BKS t’i rimbursoj shumën prej 2.444,00 euro, në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksident trafiku.