Biznesmeni kërkon heqjen e barrës tatimore që ATK i kishte vënë për shkak të qarkullimit shtesë të padeklaruar

Pallati i Drejtesise (23)
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Shkurt 13, 2019

Prishtinë – I pakënaqur me tatimin për shkak të qarkullimit shtesë të padeklaruar, që i ishte bërë nga raporti i kontrollit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Hasan Rapuca, pronar i kompanisë “Ndërtimi”, ka kërkuar heqjen e barrës tatimore.

Këtë kërkesë Repuca e bëri në seancën e mbajtur të mërkurën në Departamentin Administrativ, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke sqaruar se nga e kishin prejardhjen vlerat të cilat AT, i kishte vlerësuar si të padeklaruara, gjatë kryerjes së kontrollës në këtë kompani për periudhën  2010-2012.

“E kundërshtoj vendimin e ATK-së lidhur me vlerën e transaksionit prej 15,500 të cilën e kam pranuar në gjiro llogarinë bankare timen. Këto nuk kanë qenë deponim bankar nga biznesi im, por mjete që mi ka dërguar Ahemt Leci për punët e kryera. Këto para i kanë takuar Sabri Lecit, unë vetëm i kam pranuar 500 euro për mbikëqyrje të projektit” tha Repuca.

Ai tha se kishte pasur dokumentacionin e mjaftueshëm që ATK-ja i kishte kërkuar, por ata nuk i kishin marrë për bazë të njëjtat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa për shumën prej 6 mijë euro qarkullim shtesë, ai tha se nuk kishte dëshmi t’i ofronte ATK-së se nga kishin ardhur ato para.

I njëjti tha se qarkullimin shtesë sipas raportit të kontrollit të ATK-së, në vlerë prej 17 mijë euro, kishte qene një deponim për obligime të viteve paraprake që punëmarrësit nuk i kishin paguar me kohë, por e kishin paguar në vitin 2011.

Në fund, Repuca deklaroi që nuk ka bërë shmangie tatimore andaj kërkoj nga gjykata që ta liroj nga barra tatimore.

Gjykatësi Krenar Berisha e njoftoi të njëjtin që vendimin do ta marrë në formë të shkruar.

Ndryshe në këtë seancë nuk prezantoi asnjë përfaqësuesi i ATK-së.

Ndryshe, Hasan Repuca, si pronar i NNSH “Ndërtimi”, kishte paraqitur padi më 4 prill 2017 ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me pretendimin se e njëjta i kishte vënë për të paguar tatim për qarkullim të padeklaruar.

Sipas padisë NNSH” Ndërtimi”, shuma të ndryshme që thuhet se nuk i kishte deklaruar duke filluar nga 15,500 euro e më pas 6 mijë euro e 17 mijë euro ,nuk kishin qenë shuma që i kishte përfituar nga puna e kryer por për shërbime të tjera.

Andaj vendimi i ATK-së, me të cilin raporti i kontrollit kishte rezultuar që ai kishte qarkullim shtesë të pa deklaruar sipas paditësit ishte i padrejtë.

Ndaj këtij vendimi ai ka paraqitur padi me kërkesë që gjykata t’i heq barrën tatimore të vënë nga ky institucion.