Biznesmeni kërkon ekspertizë financiare për të vlerësuar tatimin mbi 120 mijë euro që ATK-ja i kishte vënë në barrë

Rasti i Jakup Tahirit 31.10.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Tetor 31, 2019

Prishtinë – Paditësi Jakup Tahiri, përmes avokatit të tij Ibrahim Dobruna, ka kërkuar ekspertizë financiare për të vlerësuar tatimin që Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) i kishte vënë në barrë në vitin 2017, e që arrin vlerën deri në 120 mijë euro.

Këtë gjë Dobruna e ka kërkuar në seancën e mbajtur të enjten, në divizionin fiskal të Departamentit për Çështje Administrative.

Sipas avokatit, ekspertiza financiare është e nevojshme për të vërtetuar shitjet e banesave që Tahiri si investitor i kishte bërë gjatë kohës kur ishte zhvilluar raporti i kontrollës nga ana e ATK-së.

Lidhur me këtë propozim, gjykatësi Krenar Berisha ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar kërkesën e Dobrunës, duke shtuar se lidhur me detyrat e ekspertit gjykata do të vendos me vendim të posaçëm.

Ndërsa seanca e radhës për këtë rast do të caktohet pasi të përfundoj ekspertiza.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kishte marrë vendim më 27 korrik 2017 lidhur me ankesën e parashtruar nga Jakup Tahiri, pronar i biznesit me po të njëjtin emër, lidhur me kontrollin e zhvilluar nga ky institucion në këtë biznes.

ATK-ja, me anë të vendimit, kishte aprovuar pjesërisht ankesën e tatimpaguesit Tahiri duke ndryshuar njoftim rivlerësimin për tatimin në vlerën e shtuar për periudhën e muajve 6/2010 dhe 12/2010 për pensionet individuale për periudhës 3/2010, 6/2010, 09/2010 dhe 12/2010 si dhe njoftim rivlerësimin për tatimin për të ardhura personale për krejt vitin 2010.

Ndërsa sipas këtij vendimi të AKT-së, pjesa tjetër e vlerësimit të bërë nga Departamenti i kontrollit mbetej e pa ndryshuar.

Sipas vendimit të kontrollit, ATK-ja në vlerë të përgjithshme për mos përmbushje të obligimeve tatimore, paditësin e kishte ngarkuar me shumën prej 120,798.40 euro.

Paditësi sipas padisë së datës 13 tetor 2017, merret me objekte ndërtimore dhe me shitje të banesave për të cilat ATK-ja kishte ushtruar kontroll për të parë se i njëjti a kishte deklaruar të hyrat dhe deponimet e mjeteve nga shitja e këtyre banesave.

Lidhur me këtë raport të kontrollit paditësit kishte paraqitur ankesë pasi që kishte qenë i pakënaqur me vendimin për ngarkim me tatim shtesë.

ATK-ja kishte vendosur si më lartë, ndërsa pasi që investitori Tahiri nuk kishte pranuar si të saktë as vendimin e dytë të ATK-së, kishte parashtruar konflikt administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje, Administrative./Betimipërdrejtësi