Biznesmeni i akuzuar për dhënie ryshfeti mbetet i karantinuar në Mal të Zi, dështon gjykimi ndaj tij dhe inspektorit të ATK-së

Pallati
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 21, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj inspektorit tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës Samir Smajli i cili po akuzohet për marrje të ryshfetit dhe biznesmenit Behxhet Bici i akuzuar për dhënie ryshfeti.

Smajli po dyshohet se në cilësinë e inspektorit tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës, kishte pranuar dhe marrë ryshfet prej 7.000 euro nga drejtori i agjensionit turistik “Bici-Com”, Behxhet Bici, me qëllim që ky i fundit të rimbursojë mjetet prej 166,000 euro, e cila kërkesë paraprakisht ishte refuzuar nga ATK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica për “Betimi për Drejtësi”, njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit Behxhet Bici, avokati Skënder Musa e kishte njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij nuk mund të ishte i pranishëm në seancën e së martës, për shkak se i njëjti kishte mbetur i karantinuar në Mal të Zi.

Për këtë arsye, ajo tha se edhe i akuzuari Smajli dhe mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha ishin marrë vesh që për shkak se nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance, të mos paraqiteshin në këtë seancë.

Po ashtu, gjykatësja Krasniqi-Jashanica tha se edhe prokurorja e rastiti Merrushe Llugiqi kishte qenë e gatshme të marrë pjesë në këtë seancë.

Për këto arsye, e njëjta njoftoi se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit të dytë në këtë rast, ndërsa në lidhje me seancën e radhës njoftoi se do të caktohet pasi i akuzuari Bici të kthehet në Kosovës.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur me 4 qershor 2020, dy të akuzuari kishin deklaruar se se nuk ndihen fajtorë për veprat me të cilat ngarkohen.

I akuzuari Bici kishte deklaruar se për të ishte i pakuptimtë fakti se ishte i pandehur në këtë procedurë, pasi sipas tij ai e konsideronte veten të dëmtuar.

“Unë i kam lypë paret që më takojnë me ligj, më kanë refuzuar kërkesën, unë jam i dëmtuar, edhe rimbursimin nuk e kam marrë edhe i kam dhënë paret me ma kry punën e nuk ma kanë kry”, ka thënë i akuzuari Bici.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 qershor 2020, i akuzuari Samir Smajli, në cilësinë e inspektorit tatimor në ATK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, në vitin 2019, në një lokal në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, është takuar me të akuzuarin Behxhet Bici, drejtorin e agjensionit turistik “Bici – Com”, nga i cili ka kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 7,000 euro.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se, i akuzuari Smajli ka kërkuar shumën e lartcekur me qëllim që  të ndihmojë pronarin e kompanisë “Bici” rreth rimbursimit të mjeteve prej 166.000, e cila kërkesë paraprakisht ishte refuzuar nga ATK dhe duke i thënë se kërkesa e tij për rimbursim do t’i aprovohet.

Për këto veprime, Smajli po ngarkohet me veprën penale, “marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, të KPRK-së, ndërsa, Behxhet Bici me veprën penale “dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi