BISLIM DUSHI DËSHMON NË RASTIN KUNDËR ZORAN RAKIÇ, I AKUZUAR PËR MOSRAPORTIM TË PASURISË

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Bislim Dushi është dëgjuar të enjtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dëshmitari i fundit në rastin kundër anëtarit të Kuvendit Komunal në Vushtrri, Zoran Rakiç, i akuzuar për veprën penale “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë”.
I propozuar nga gjyqtari i vetëm në këtë çështje, Naser Foniqi, dëshmitari Bislim Dushi deklaroi se tash e disa vite punon si menaxher i personelit në Komunën e Vushtrrisë. Mirëpo, në fillim të vitit 2015 ai ishte ngarkuar edhe me një detyrë shtesë që kishte të bënte me njoftimin e zyrtarëve të lartë publik, në këtë rast anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë për detyrimin që kanë për deklarimin e pasurisë. Këtë detyrë si zyrtar kontaktues me Agjencinë Kundër Korrupsionit, Dushi e kishte marrë me vendim të kryetarit të Komunës së Vushtrrisë.
Gjatë marrjes në pyetje nga ana e gjykatësit, dëshmitari theksoi se të akuzuarin Zoran Rakiç, lidhur me përmbushjen e obligimit të tij për deklarim të pasurisë brenda afatit, e kishte lajmëruar përmes emailit zyrtar ashtu sikurse kishte vepruar edhe me të gjithë zyrtarët e tjerë. Mirëpo, nga personi në fjalë nuk kishte marrë asnjë konfirmim nëse i njëjti e kishte pranuar atë email apo jo. Për më tepër, dëshmitari shton se ka pasur raste kur është takuar personalisht me disa zyrtarë tjerë dhe të njejtit i kishte njoftuar edhe gojarisht për deklarimin e pasurisë, por gjatë asaj kohe nuk kishte pasur rast ta takonte të akuzuarin Zoran Rakiç pasi që ky i fundit kishte pasur disa probleme familjare.
Gjatë dëshmisë së tij, Bislim Dushi theksoi se nuk e di nëse i akuzuari kishte bërë deklarimin e pasurisë gjatë vitit 2013 apo 2014, marrë parasyshë faktin që gjatë asaj kohe nuk kishte qenë në detyrën e zyrtarit për komunikim lidhur me këtë çështje.
Pas dëgjimit të dëshmitarit të fundit për këtë rast, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me leximin e provave.  Ndërkaq, mbrojtja e të pandehurit Zoran Rakiç do të bëhet më datën 5 prill 2016, në të njejtën ditë kur do të jipen edhe fjalët përfundimtare.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë