BEXHET BAJRAKTARI LIROHET NGA AKUZA E RRËMBIMIT NDËRSA DËNOHET ME TRE VITE BURGIM PËR MASHTRIM

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Bexhet Bajraktari është dënuar me tre vite burgim efektiv dhe 3 mijë euro, për akuzën e mashtrimit, ndërsa është liruar nga akuza e rrëmbimit. Ky aktgjykim, është shpallur të hënën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit nga Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj.

Çoçaj ka thënë se i akuzuari është i pafajshëm për veprën penalë të rrëmbimit, pasi që nuk është arritur të dëshmohet akuza e prokurorisë.

Tutje ka thënë se për veprën penale të mashtrimit është vërtetuar gjendja faktike si në aktakuzë, andaj i akuzuari është gjykuar me tre mijë euro gjobë dhe tre vite burgim.

I akuzuari nuk do të mbajë asnjë ditë burgim, për shkak se ka qenë në paraburgim që nga korriku 2013.

Në këtë rast janë mbajtur shumë seanca, në të cilat prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka tentuar që të dëshmojë se i akuzuari është përgjegjës për zhdukjen e Shaqir Berishës.

Përmes ekspertëve të operatorëve telefonik “Vala” dhe “Ipko” nuk është arritur të dëshmohet se në ditën kritike, i akuzuari dhe i zhdukuri, kanë qenë afër njëri-tjetrit.

Ndërsa avokati mbrojtës, Bashkim Nevzati, gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor ka thënë se prokuroria ka dështuar të vërtetojë veprimet konkrete të të mbrojturit të tij, me të cilat veprime kishte për të kryer veprën penale të rrëmbimit.

Prokuroria Themelore në Prizren e akuzonte Bexhet Bajraktarin, se ka rrëmbyer viktimën Shaqir Berisha, pasi që nuk ka pasur mundësi t’ia kthejë borxhin prej 20 mijë franga zvicerane.

Prokuroria pretendonte se në ditën kritike, i akuzuari e kishte ftuar viktimën për të biseduar rreth borxhit prej 20 mijë euro që ia kishte dhe prej asaj kohe më nuk dihet për fatin e viktimës.

Poashtu, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte mashtruar familjarët e viktimës, duke u premtuar atyre se do ta gjente të zhdukurin, brenda shtatë ditëve, me këtë rast u kishte marrë atyre 1500 euro për shpenzime.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë