“Betimi për Drejtësi”: Përgjigje ndaj KESCO

Llogo per FB - Betimi per Drejtesi
Author
Mars 31, 2020

Kemi pranuar reagimin e kompanisë KESCO ndaj hulumtimit me titull: “KEDS-i dhe përmbaruesit privat po kërkojnë nga qytetarët të paguajnë borxh fiktiv në emër të energjisë elektrike”, të pubikuar në “Betimi për Drejtësi” me datën 20 mars 2020.

“Betimi për Drejtësi” njofton KESCO-n dhe lexuesit se të gjitha argumentet e prezantuara në artikull janë të bazuara dhe në asnjë formë asnjë informatë nuk paraqet shpifje. Tërë raporti i publikuar, bazohet në konstatimet faktike dhe juridike të Aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Pejë dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, në të cilat është trajtuar çështja e veprimeve të kundërligjshme të KESCO-s dhe përmbaruesve privat.

Si monitorues sistematik të sistemit të drejtësisë, kemi vërejtur vendimmarrjen e Gjykatës Themelore në Pejë në lidhje me rastet e KESCO-s, të cilat janë trajtuar në raportin tone, duke përfshi detajet e tyre. Këto vendime gjyqësore të Gjykatës Themelore në Pejë, bazuar në analizën e gjendjes faktike dhe aplikimit të së drejtës materiale kanë konkluduar që debitorëve (konsumatorëve) u është kërkuar që të përmbushin detyrimet për shpenzimet e energjisë elektrike për periudhat, të cilat ata paraprakisht i kanë paguar.

Prandaj, pretendimet për tendenca dhe shpifje përmes këtij raportimi, “Betimi për Drejtësi” i konsideron tendencioze dhe qëllimkëqija. “Betimi për Drejtësi” deri më tash ka raportuar qindra seanca gjyqësore, në të cilat, palët e ndryshme, janë akuzuar për keqpërdorim të energjisë elektrike, ku vazhdimisht si palë të dëmtuara janë paraqitur kompanitë respektive që merren me distribuimin e energjisë elektrike.

“Betimi për Drejtësi” thekson se konludimet e gjykatës së shkallës së parë janë materializuar edhe me aplikimin e së drejtës materiale të Ligjit të Marrëdhënieve të Detyrimeve, ku në nenin 276 Rregullat e Përgjishme në nenin 1 përcakton se: “Detyrimi shuhet kur ai përmbushet, si dhe në rastet tjera të përcaktuara me ligj”. Pra, sipas kësaj dispozitë, kur një detyrim (borxh), paguhet, i njëjti shuhet, rrjedhimisht nuk ekziston. Gjykata Themelore në Pejë, ka përcaktuar se debitorët kanë paguar detyrimet e tyre dhe që më pagesën e detyrimeve, rezulton se detyrimi i paguar shuhet. Ky konkludim juridik dhe faktik i Gjykatës Themelore në Pejë, është pasqyruar në mënyrë eksplicite në raportin e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”. Prandaj, KESCO dhe kushdo, ankesat duhet t’i ri-adresojë sepse këto konstatime janë pjesë të aktvendimeve gjyqësore, të cilave ne ju kemi referuar.

Në reagimin e KESCO-s, zyrtarët e kësaj kompanie, luajnë rolin e arbitrit dhe redaktorit, se çka lejohet dhe se si duhet të raportohet për pjesë të caktuara, në të cilat janë referuar gjetjet e analizave të organizatave të shoqërisë civile, gjë që është e papraanueshme. “Betimi për Drejtësi” në artikull ju ka referuar gjetjeve, të Institutit GAP, në lidhje me shitjen e Rrjetit të Distribuimit të Energjisë Elektrike tek kompania KEDS. Jemi të bindur në të drejtën tonë, për të referuar raporte dhe hulumtime të pavarura të organizatave që merren me çështjet ekonomike.

Në reagimin e KESCO-s, zyrtarët e saj, nuk pajtohen me konstatimet se përmbaruesit privat kanë ndërtuar një praktikë kundërligjore të tentimit të inkasimit të mjeteve nga KESCO. Tutje, KESCO thekson se ne është dashur të jemi në dijeni se sa prej vendimeve të Gjykatës Themelore në Pejë, janë prishur dhe janë aprovuar ankesat e kreditorit KESCO?

“Betimi për Drejtësi” njofton zyrtarët e KESCO-s se hulumtimi është bazuar në aktvendimet e nxjerra nga Gjykata Themelore në Pejë. Gjykatësi i kësaj gjykatë, Musë Povataj, i cili është marrë me trajtimin e këtyre lëndëve përmbarimore, me kërkesë tonë, na ka informuar dhe na siguruar në përputhje me ligjin, këto aktvendime, të cilat janë shtjelluar në raport. Tutje, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga gjykatësi Musë Povataj, të gjitha aktvendimet e Gjykatës së Apelit në lidhje me rastet e vendosura nga Gjykata Themelore, dhe në këtë rast, na është siguruar, vetëm një aktvendim i Gjykatës së Apelit, i cili është paraqitur në mënyrë objektive si pjesë e raportit të publikuar. Aktvendime të tjera të Gjykatës së Apelit në lidhje me këto vendime, nuk kemi poseduar, sepse sado që do të ishin, do të përfshiheshin në raport. Dhe një mundësi e tillë, ekziston edhe sot, dhe do të ekzistojë gjithmonë, për të gjitha palët.

Në vazhdim të reagimit, KESCO konstaton se: “5. Në cilin rast të vetëm është kërkuar borxhi jo ekzistues? Kreditori KESco (jo KEDS) konform rregullave dhe procedurave ligjore ka bërë propozimin për përmbarim në përputhje me Nenin 29 dhe Nenin 40, përfshirë Nenin 341 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore Nr. 04/L-139. Ku propozuesi i propozon Përmbaruesit Privat përmbarimin në bazë të dokumentit të besueshëm, përkatësisht ekstraktin nga Ekstrakti nga librat afariste duke u bazuar në “Nenin 29 Dokumentet e Besueshme, paragrafi 1.2. ekstraktet e verifikuara nga librat afariste për pagesën e shpenzimeve komunale të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe bartjen e mbeturinave”, atëherë e nderuara/i gazetar ku na qenka kundërligjshmëria?”

“Betimi për Drejtësi” çmon përpjekjet e zyrtarëve të KESCO-s që të shpjegojë rregulla procedurale edhepse të panevojshme për rastin tonë konkret. Çështja e konstatimit se borxhet e kërkuara janë të kundërligjshme, kanë për bazë, konstatimet e aktvendimeve gjyqësore, lidhur me zbatimin e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, i cili në nenin 276, “Rregullat e Përgjishme” në nenin 1 përcakton se: “Detyrimi shuhet kur ai përmbushet, si dhe në rastet tjera të përcaktuara me ligj”.

Në këtë drejtim, Gjykata ka përcaktuar së kompania KESCO ka kërkuar borxhin në emër të shpenzimeve të energjisë elektrike, në periudhën për të cilën sipas gjykatës konsumatorët paraprakisht e kishin paguar.

Poashtu në bazë të Ligjit të Marrëdhënieve të Detyrimet përcaktohet se kreditori mund t’a kërkojë vetëm përmbushjen e lëndës së detyrimit. Por, si mund të kërkohet detyrimi, i cili veçse është shuar me pagesë nga debitori?

Këtë poashtu e rregullon ligji i lartëcekur në nenin 288 par.1 ku shprehimisht thuhet:

Përmbushja përbëhet nga kryerja e asaj që është përmbajtja e detyrimit, ashtu që as debitori nuk mund ta përmbush me diçka tjetër dhe as kreditori nuk mund të kërkojë diçka tjetër”.

Këtë dispozitë e ka zbatuar, Gjykata Themelore në Pejë, në rastin kur ka konstatuar se konsumatorëve u ishte kërkuar të paguanin borxhin në emër të energjisë elektrike, për periudhën të cilën ata paraprakisht e kanë paguar, të cilën konkludim e kemi paraqitur në raport.

Prandaj, konstatimi se, këto veprime janë në kundërshtim me ligjin, gjenden në aktvendimet gjyqësore dhe dispozitat ligjore përkatese.

Në reagimin e KESCO-s, theksohen vetëm dispozitat Neni 29 dhe Neni 40, përfshirë Neni 341 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, ndërsa fare nuk theksohet edhe dispozita e nenit 43 paragrafi 4 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, e cila thekson se: “Përmbaruesit privat nxjerrin urdhrin për përmbarueshmëri në rastet që ligjërisht prezantohen para tyre, të cilat përmbushin kushtet për përmbarueshmëri”.

“Betimi për Drejtësi” pyet se si mund të jetë e ligjshme një kërkesë për përmbarimin e një borxhi, i cili paraprakisht qenka paguar?!

Për më tepër, në aktvendimet gjyqësore të referuara në raport, Gjykata ka konkluduar se përmbaruesit do duhej të refuzonin propozimet e tilla të KESCO-s për përmbarimin e borxheve tanimë të paguara.

Pretendimet e KESCO-s të paraqitura në pikën 6 të reagimit, se Gjykata ka bërë shkelje të drejtës materiale dhe se e njëjta nuk ka zbatuar dispozitën e nenit 73 par.1, është çështje e gjykatës përkatëse, prandaj reagimin për këtë ri-adresone tek gjykata përmes rrugëve ligjore. Ju në reagim, kërkoni të hulumtojmë se pse gjykata nuk ka zbatuar dispozita ligjore, të cilat do ta vendosnin çështjen në favorin tuaj, por për këto çështje, ne raportojmë vetëm duke u bazuar në aktvendimet gjyqësore dhe sesi do të vendosin shkallët e tjera, mbetet të shihet dhe ne do të informohemi për vendimmarrjen në instancat më të larta, për të raportuar për publikun.

Në reagimin tuaj, në lidhje me rastin e konsumatorit R.G. keni kërkuar vendimin dhe keni shprehur bindjen se kompania Juaj nuk ështe kreditor në këtë lëndë përmbarimore.

“Betimi për Drejtësi” në proces të rishikimit të vendimeve gjyqësore, ka vërejtur një lëshim teknik, ku në vend të KEK është KEDS. Për këtë gabim teknik, i cili ka ndodhur ngjashëm edhe me KEDS – KESCO, kërkojmë falje publike dhe të njëjtat janë përmirësuar në artikullin e publikuar.

Në reagimin e KESCO-s janë kërkuar të gjitha aktvendimet e publikuara në raportin tonë. “Betimi për Drejtësi” në vazhdim ua liston të gjitha numrat e lëndëve, të cilat janë përfshirë në raporton tonë, të cilat aktvendime janë siguruar në përputhje me legjislacionin pozitiv në Gjykatën Themelore në Pejë. Këto janë numrat e aktvendimeve:

Ep.nr.121/19 –GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM-çështja përmbarimore e kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ndaj debitores F.H.

Ep.nr.57/18- GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM- në çështjen përmbarimore të kreditorit KEDS Sh.a në Prishtinë, ndaj debitorit D.Ç

Ep.nr.119/19- GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM- në çështjen përmbarimore të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ndaj debitorit E.M

Ep.nr.18/19- GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM- në çështjen përmbarimore të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ndaj debitorit SH.M

Ep.nr.450/19- GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM- në çështjen përmbarimore të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ndaj debitorit I.K

Ep.nr.59/19- GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM- në çështjen përmbarimore të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ndaj debitorit G.K.

Ep.nr.321/19- GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM- në çështjen përmbarimore të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ndaj debitorit A.M.

Ac.nr.1741/19- GJYKATA E APELIT TË KOSOVËS- në çështjen përmbarimore të kreditorit Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ndaj debitorit Sh.L

Ep.nr.367/19- GJYKATA THEMELORE NË PEJË-DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM- në çështjen përmbarimore të kreditorit Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh.a, ndaj debitorit R.G.

“Betimi për Drejtësi” mbetet i hapur për të raportuar faktet dhe të vërtetën. Jemi njerëz dhe mund të gabojmë, sikurse kanë ndodhur gabimet teknike në vend të KESCO e KEK të vendoset KEDS, por ato janë përmirësuar menjëherë, dhe siç mund ta vëreni, referimi në gjithë raportin tonë, është i bazuar me saktësi në aktvendime gjyqësore dhe raporte zyrtare të organizatave respektive. Përtej këtyre lëshimeve teknike, “Betimi për Drejtësi” ka ofruar gjithmonë hapësirën për ta thënë të gjitha palët versionin e tyre, ndërsa në këtë rast, për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit, dhe për shkak të thirrjes për vetëkarantinë, duke punuar në kushte të karantinës nga shtëpitë, raporti edhepse i referuar ekskluzivisht në vendime gjyqësore, ka mbetur pa u plotësuar me përgjigjen e zyrtarëve të KESCO-s. Por, që gjithsesi “Betimi për Drejtësi” ka qenë, është dhe mbetet e hapur për të gjitha palët, dhe në këtë rast është siguruar që të përmirësojë gabimet teknike në raportin e publikuar si dhe të publikojë në tërësi pa asnjë ndërhyrje reagimin e KESCO-s.