“Betimi për Drejtësi” debaton për mungesën e llogaridhënies në drejtësi

“Betimi për Drejtësi”

Në emisionin “Betimi për Drejtësi” do të debatohet për mungesën e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Çfarë performance kanë prokurorët dhe gjykatësit në Kosovë? Nëse analizohen normat dhe statistikat se sa lëndë i kryejnë, del se ata janë më të Zotët në Ballkan. Por, realisht çfarë flasin këto statistika? Çfarë performancë është kjo, kur thuhet se prokurorët dhe gjykatësit punojnë më së shumti në Ballkan, ndërsa në të njëjtën kohë, për çdo ditë kemi lulëzim të korrupsionit e krimit të organizuar. Performanca e prokurorëve dhe gjykatësve sipas natyrës së lëndëve që kryejnë, shkëlqen kur bëhet fjalë kryesisht për rastet e lehta si vjedhje pylli dhe ryshfet deri n’100 euro, por assesi në ndjekjen dhe dënimin e të korruptuarve që populli tash i njeh si peshqit të mëdhenj. Ndiqeni debatin se çfarë performance kanë prokurorët dhe gjykatësit në Kosovë? Pse nuk ka asnjë prokurorë apo gjykatës që është shkarkuar nga pozita për shkak të performancës së dobët? Si funksionon sistemi i vlerësimit të performancës dhe disiplinimit të prokurorëve dhe gjykatësve? Pse nuk ka dënime adekuate ndaj gjykatësve dhe prokurorëve nga Komisionet Disiplinore në Këshill Gjyqësor dhe Këshill Prokurorial? Pse nuk zbatohen vendimet e të Këshillave për llogaridhënie?

Për të diskutuar për këtë temë, mysafirë të Betim Musliut janë:
Zef Prendrecaj – Zyra e Prokurorit Disiplinor
Ehat Miftaraj – Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive
Hydajet Hyseni – Njësiti për Shqyrtimin e Performancës së Gjykatave
Jetish Maloku – Komisioni Disiplinor në Këshillin Prokurorial të Kosovës
Asllan Krasniqi – Komisioni Disiplinor në Këshillin Gjyqësor të Kosovës

Gjatë emisionit, si zakonisht do të transmetohet rubrika “Në Kërkim” ku do të shfaqen tre prej personave më të kërkuar prej organeve policore.

Gjithashtu, do të transmetohet storia e përgatitur nga gazetarja Bukureza Surdulli, që flet se si prokurorët e akuzuar nuk suspendohen nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial, në kundërshtim me Rregulloren e Komisionit Disiplinor.

“Betimi për Drejtësi” të mërkurën prej orës 20:30 minuta në RTK1.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë