Beteja për drejtësi (Video)

Author

Raporton: Leotrim GASHI dhe Gzim SHALA

Nëntor 7, 2018

Prishtinë – Një aksident trafiku në rrugën “Muharrem Fejza”, në Prishtinë, më 27 janar të vitit 2016, ka lënë Nushe Loxhaj-Bicajn të palëvizshme.

Për lëndimet e pësuara, ajo dhe familjarët e saj, në korrik të vitit 2016 kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, duke kërkuar kompensim dëmi në shumë prej rreth një milion euro.

Pos dëmit të shkaktuar paditëses Nushe Loxhaj-Bicaj, lëndime kishin pësuar edhe paditësit Xhavit, Lindon dhe Arian Bicaj.

Padia ishte ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi që vetura me të cilën ishte shkaktuar aksidenti,  ishte e siguruar në këtë kompani.

Xhavit Bicaj, bashkëshorti i Nushe Loxhaj-Bicaj, e cila ka mbetur e palëvizshme, thotë se si palë paditëse, kanë kërkuar afër 1 milion euro kompensim në emër të dëmit material dhe jo material, pasi sipas tij, nga ky aksident bashkëshortja e tij ka marrë lëndime shumë të rënda, të cilat atë e kanë bërë të palëvizshme dhe se për këtë nuk ka mundur të gjej shërim as në vendet e rajonit.

Për lëndimet që ajo kishte pësuar, asaj vazhdimisht i duhet përkujdesje mjekësore.

Xhavit Bicaj para se të ushtronte padi thotë se për kompensimin e dëmeve lidhur me këtë rast, fillimisht ishte drejtuar në kompaninë “Kosova e Re”.

Por, që sipas tij, kjo kompani kishte refuzuar ta kompensonte atë në shumën e kërkuar.

Për shkak të këtij refuzimi, Bicaj thotë se ishte detyruar që të drejtohet në gjykatë, duke ushtruar padi.

Që nga koha kur ka ushtruar padi, ky rast është përshkuar me zvarritje dhe me shkelje ligjore e procedurale.

Fillimisht, ky proces gjyqësor, kishte nisur më 13 janar të vitit 2017e në të cilën seancë, pala e paditur, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, kishte kërkuar që Dega e Istogut të shpallet jo-kompetente për të gjykuar këtë rast, me arsyetimin se paditësja nuk është me vendbanim në Istog, por në Prishtinë.

Por, gjykatësi Daut Demiraj, e kishte refuzuar një kërkesë të tillë.

Në seancën e 3 shkurtit 2017, paditësit kishin sjellë si provë një certifikatë të vendbanimit të Nushe Loxhaj-Bicaj, në të cilën evidentohej se ajo banon në fshatin Banjë të Istogut.

Po në seancën e 3 shkurtit 2017, e paditura kishte kërkuar përjashtimin e gjykatësit Demiraj, nga gjykimi i këtij rasti me pretendimin për njëanshmëri, por edhe një propozim i tillë ishte refuzuar nga kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, me pretendimin se pala e paditur, kërkesën lidhur me çështjen e kompetencës është dashur ta kërkojë më së largu deri në momentin e përgjigjes në padi, të cilën gjë sipas tij, nuk e ka bërë e paditura.

Pasi ishin refuzuar këto kërkesa, dhe procesi do të mund të vazhdohej me shqyrtim, në seancën e 28 marsit të vitit 2017, Gjykata, pas propozimeve të palëve kishte vendosur që për 8 maj 2017, t’i caktojë dy seanca gjyqësore, në mënyrë që t’i dëgjojë ekspertët e angazhuar për zbardhjen e këtij rasti.

Në atë seancë ishte paraparë që në pjesën e paradites të dëgjohej eksperti rrugor dhe ai i arkitekturës, ndërsa në pjesën e pasdites ekspertët mjekoligjorë.

Edhe pse të caktuara, asnjëra nga seancat e 8 majtit 2017 nuk ishin mbajtur, kjo për shkak se gjykatësi Daut Demiraj, kishte ndërprerë procedurën në këtë lëndë, pasi pala e paditur, “Kosova e Re”, e kishte njoftuar atë se tashmë kishte filluar një hetim ndaj bashkëshortit të Nushe Loxhaj-Bicaj, Xhavit Bicaj, që ishte njëri nga paditësit, me pretendimin se ka kryer disa vepra penale, të cilat ndërlidhen me rastin kontestues që gjykohej nga ai.

Për ta marr një vendim të tillë, gjykatësit Demiraj, i kishte mjaftuar njoftimi nga pala e paditur. Ndërkohë, nuk ishte kërkuar asnjë informacion nga instancat tjera, nëse një gjë e tillë ishte e vërtetë.

Përveç kësaj, vendimi për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor, nuk ndërlidhej me çështjen kontestuese, e cila ishte objekt i shqyrtimit.

Në këtë vendim të gjykatësit nuk përmendej asnjë provë, e cila do të arsyetonte kallëzimin penal, e për me tepër nuk sqarohej nëse për këtë është nxjerrë një aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Xhavit Bicajt.

Sidoqoftë, ndaj këtij vendimi, pala paditëse kishte ushtruar ankesë në shkallën e dytë, me ç’rast Gjykata e Apelit, më 18 prill 2018, e kishte konsideruar me shkelje të dispozitave ligjore vendimin e shkallës së parë dhe kishte kërkuar nga gjykatësi që të bëjë verifikimin e kushteve për të thirrur seancë përgatitore ose shqyrtim kryesor të çështjes, pas të cilit, sipas tyre, do të merrej një vendim i ligjshëm.

Sipas instancës së dytë, gjykatësi nuk është siguruar fare nëse për këtë rast ka apo jo një aktvendim për fillimin e hetimeve.

Në momentin kur gjykata ka nxjerrë aktvendimin e atakuar, për ndërprerje të procedurës pushimin e gjykimit, nuk e ka pasur të provuar asnjë nga faktet e theksuara më lartë siç përcaktohet me këto dispozita ligjore, nuk ka pasur të provuar faktin sa i përket kërkesës së të paditurës për ndërprerjen e procedurës kontestimore. Të njëjtës kërkesë nuk iu është bashkangjitur asnjë provë e vetme me të cilën do të provohen pretendimet e saja lidhur me ndërprerjen e procedurës, përkundër njoftimit, se kundër njërit nga paditësit Xhavit Bicaj ka kallëzim penal dhe në rastin konkret aktvendimi i atakuar mbështetet vetëm mbi bazën e njoftimit të së paditurës dhe se në shkresat e lëndës nuk ka prova se është marr vendim për fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe si rezultat i kësaj, aktvendimi i atakuar është nxjerr me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragraf 2 pika i) e LPK-së, sepse me ndërprerjen e procedurës me aktvendimin e atakuar palës paditëse ju ka pa mundësuar shqyrtimi i çështjes së tyre në gjykatë”, thuhet në një pjesë të vendimit të Apelit.

Pavarësisht, vendimit të Apelit, gjykatësi Daut Demiraj, për gjashtë muaj nuk kishte caktuar asnjë seancë gjyqësore, duke thënë se një gjë e tillë ishte e pamundur për shkak të rasteve të shumta gjyqësore që ka në punë.

Kurse, gjykatësi Demiraj, e ka arsyetuar vendimin e tij për ndërprerjen e procedurës në këtë çështje civile, me arsyetimin se ka pasur një kallëzim penal, duke thënë se praktika të tilla, kishte bërë edhe më herët.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nëse ka aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Xhavit Bicaj, me ç ‘rast zëvendësprokurori, Ibrahim Berisha, ka konfirmuar se në këtë rast ka vetëm kallëzim penal, por jo edhe aktvendim për fillimin e hetimeve.

Për më tepër, sipas tij, edhe pse policia është autorizuar që të bëj grumbullimin e informatave, ajo ende nuk e ka informuar asgjë këtë prokurori.

Avokatit Besnik Nikqi, ka thënë se kjo lëndë është pezulluar pikërisht atëherë kur kjo çështje gjyqësore pritej që të përfundonte.

Avokati Nikqi thotë se për këtë rast ka dërguar disa urgjenca te kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, në një përgjigje përmes telefonit, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se ka biseduar me gjykatësin Daut Demiraj për këtë çështje dhe urgjencat i ka trajtuar brenda kompetencave të tij.

Bashkëshorti i Nushe Loxhaj-Bicaj, Xhavit Bicaj, ka thënë se procedura kontestimore në këtë rast ka filluar në mënyrë normale dhe efikase, por pas kallëzimit penal nga pala e paditur, vendimi për ndërprerjen e seancës gjyqësore, është i pakuptueshëm.

Ai ka thënë se nuk po e kupton se pse për kaq kohë që nga vendimi i Apelit, nuk është caktuar asnjë seancë në këtë rast, duke shpreh dyshimet e tij, se në këso situatash mund të bëhet fjalë edhe për korrupsion.

Nëse, nuk caktohet një seancë gjyqësore, ai ka thënë se kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, duhet të caktojë një gjykatës tjetër në këtë çështje.

Para se “Betimi për Drejtësi”, të zhvillonte intervistën me gjykatësin Daut Demiraj, në një bisedë paraprake në telefon, ai kishte thënë se nuk e din se çfarë të bëjë me këtë lëndë.

Ndërsa, në ditën që ishte aranzhuar intervista gjykatësi Daut Demiraj, ka konfirmuar se e ka caktuar seancën e radhës në këtë rast me 21 dhjetor.

Sidoqoftë, Xhavit Bicaj ka thënë se ndërprerja e procedurës, për shkak se pala e paditur ka bërë kallëzim penal ndaj tij, nuk do të duhej të merrej për bazë, pasi sipas tij, ai kallëzim penal është bërë pa kurrfarë baze ligjore.

Ndryshe, sipas këtij kallëzimi penal që kishte dorëzuar në gjykatën e Istogut më 11 maj 2018, “Kosova e Re” pretendonte se Xhavit Bicaj, ka falsifikuar dokumentin zyrtar të QKUK-së.

Më datën 27 janar 2016, duke i shfrytëzuar pozitat e tij të mëparshme. në QKLK , si
profesor në fakultetin e mjekësisë në UP dhe si anëtar i komisionit vlerësues për
përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorëve të njësive përkatëse të QKUK-së,
por edhe lidhjet shoqërore me kolegët e tij mjek në QKLK në kundërshtim me
ligjin kishte nxjerrë një raport mjekësor nga Qendra Emergjente në QKUK – , i cili
dokument nuk ishte lëshuar në përputhje me normativat ligjore dhe formën e
përcaktuar me UA/ 2/2010 të MSH, dhe pa rekomandimin e komisionit Konziliar, të përcaktuar me nenin 5 të me UA/ 11/2014 të MSH. kishe dhënë rekomandim
që bashkëshortja e tij, Nushe Logjaj – Bicaj . e cila në të njëjtën datë kishte pësuar një
aksident komunikacioni, të REFEROHET – TRANSFEROHET për në klinikën e
Mjekimin intensiv në Shkup, me arsyetimin e pamundësisë së mjekimit të mëtejshëm
në QKUK”, 
thuhet në dispozitivin e këtij kallëzimi.

Sipas palës së paditur një dokument i tillë ishte nënshkruar nga vetë Xhavit Bicaj dhe se ai nuk ishte protokuluar dhe se nuk ishte nënshkruar nga ekipi i mjekëve.

Përpos veprës penale të “falsifikimit të dokumentit zyrtar”, të paditurit pretendojnë se Bicaj ka kryer edhe veprën penale të “ushtrimit të ndikimit”, pasi sipas tyre, ekspertiza mjekoligjore e cila në këtë kontest gjyqësor është bërë nga tre mjekë, është bërë pas ushtrimit të ndikimit të Bicajt, kanë nxjerrë një ekspertizë me prova të cilët gjendën vetëm në shkresat e lëndës, disa nga të cilat sipas palës së paditur, janë edhe të falsifikuara.

Me anë të një ndikimi të tillë, e paditura po pretendon se kjo ekspertizë është nxjerrë me qëllim që paditësit të përfitojnë pasuri të kundërligjshme.

Por, këto pretendime i ka mohuar Xhavit Bicaj.

Lidhur me këtë, përfaqësuesi i familjes Bicaj, avokati Besnik Niikqi, ka thënë se e paditura, me të gjitha mjetet deri më tani, është munduar që të zvarrisë procedurën.

Drejtori gjeneral i kompanisë “Kosova e Re”, Faton Hasani, ka mohuar pretendimet se kompania që ai drejton, qëllimisht po tenton zvarritjen e këtij rasti.

Sipas tij, kjo kompani është munduar në vazhdimësi për të arritur deri te e vërteta.

Ai ka thënë se kompania e tij, në çdo kohë kanë qenë të gatshëm që të bëjnë kompensimin e nevojshëm, por që sipas tij, njëherë duhet të qartësohet çështja për të cilin ata kanë parashtruar një kallëzim penal.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Avokati Besnik Nikqi, thotë se me vetë faktin se kompania e sigurimeve “Kosova e Re” kishte paguar paradhënien në shumë prej 1500 eurove, nënkupton se ajo e ka pranuar se është përgjegjëse.

Sipas tij, gjithçka ka ndryshuar kur është kuptuar se dëmi është i një lartësie të madhe, ku pas kësaj kanë filluar përpjekjet për prolongim.

Bicaj, ka thënë se ka humbur besimin në drejtësinë kosovare, duke theksuar se i ka vdekur shpresa për një gjë të tillë.

Por, drejtori i “Kosova e Re”, Faton Hasani, ka thënë se kallëzimi penal i parashtruar nga ana e kompanisë nuk ka pasur për qëllim prolongimin e këtij rasti.

Ndryshe, ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, njëherësh profesor në Fakultetin Juridik, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka sqaruar aspektin teoriko-praktikë, të dispozitave të Ligjit të Procedurës Kontestimore, në raport me ato të Kodit Penal dhe atë të procedurës Penale.

Hasani, lidhur me atë se kur mund të pezullohet një procedurë kontestimore në rastin kur paraqitet një kallëzim penal, ka thënë se jo çdo kallëzim penal mund të ndikojë që të ndërpritet procedura civile.

Sipas tij, gjyqtari duhet që ta vlerësojë mirë se sa ka ndikim ai kallëzim penal në çështjen e cila gjykohet pasi sipas tij, kjo mund të ndikojë që në momentin kur njërës nga palët nuk i konvenon një provë e caktuar, të bëjë një kallëzim penal me qëllim të zvarritjes së procedurës.

Sidoqoftë, lidhur me aksidentin nga i cili kishte pësuar lëndime Nushe Loxhaj-Bicaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 17 mars 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Gani Hasanaj, duke e ngarkuar me veprën penale “rrezikim i trafikut publik”. I akuzuari Hasanaj, sic theksohet në aktakuzë, e ka pranuar fajësinë si dhe ka shprehur keqardhje për aksidentin e ndodhur.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, informacione se ën cilën fazë gjendet lënda ndaj të akuzuarit Gani Hasanaj. Sipas përgjigjes zyrtare lënda i është ndarë në punë gjyqtarit Kujtim Krasniqi.

“Ju njoftojmë se lënda në fjalë gjendet te gjyqtari Kujtim Krasniqi dhe ende nuk është në procedurë për shkak të numrit të madh të lëndëve të vjetra në Gjykatë, andaj e njëjta do të shqyrtohet sipas arritjes së saj në Gjykatë”, thuhet në përgjigjën e zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me gjykatësin e çështjes, Kujtim Krasniqi, i cili ka thënë se nuk e ka caktuar shqyrtimin fillestar të këtij rasti, me arsye se ka numër të madh të lëndëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 27 janar 2016, rreth orës 07:15 në mëngjes, në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, Gani Hasani, derisa ishte duke drejtuar automjetin “Opel Vectra”, nga pakujdesia ka shkelur ligjin mbi trafikut publik dhe ka rrezikuar jetën e njerëzve.

Sipas prokurorisë, ai nuk ka përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës, duke ndërmarr veprim me të cilin, ka ndërruar shiritin nga i djathti në të majtë, me ç’rast e ka goditur automjetin e tani të dëmtuarës, Nushe Loxhaj-Bicaj.

Në aktakuzë thuhet se nga ekspertiza mjekoligjore që ka bërë prokuroria, konstatohet se tek e dëmtuara ka lëndime të ndryshme trupore, të klasifikuara si lëndime të rënda. /Betimipërdrejtësi