BESNIK KUQI I AKUZUAR PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS NUK E PRANON FAJËSINË

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të mërkurën, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, ndaj të akuzuarit Besnik Kuqi, i akuzuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Seanca është mbajtur në zyrën e gjyqtares Lumturije Muhaxheri.

Në këtë seancë, fillimisht prokurori i shtetit Agim Kurmehaj lexoi dispozitivin e aktakuzës dhe veprën penale me të cilën ngarkohet i akuzuari.

Nga ana tjetër i akuzuari Besnik Kuqi u deklarua i pafajshëm, duke mos e pranuar kryerjen e veprës penale me të cilat ngarkohen në aktakuzë.

Pas kësaj, gjyqtarja Lumturije Muhaxheri e udhëzoi të akuzuarin për të drejtat ligjore, si dhe obligimin që në afatin ligjor prej 30 ditësh, në gjykatë, të paraqesë parashtresë në lidhje për hudhje të aktakuzës, kundërshtim të provave apo propozime për dëshmitarë.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Besnik Kuqi, më 20 tetor 2015, si person zyrtar tejkalon detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, në atë mënyrë që ka vulosur masën drusore të ngarkuar në kamion, duke lejuar kalimin e tij edhe pse ka pasur të ngarkuar trungje të njoma dhe i mbingarkuar për 1.55 metër kub.

Seanca e ardhshme për këtë rast u caktua për 16 maj 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë