Beqiri nga Ministria e Drejtësisë: Llogaridhënia e sistemit të drejtësisë ka munguar

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Lulzim Beqiri, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë (MD), tha se llogaridhënia e sistemit të drejtësisë ka munguar.

“Sa i përket llogaridhënies, kjo është një çështje, e cila gati se ka dominuar gjatë hartimit të strategjisë. Ka munguar sepse si një vend i ri, i cili ka ndërtuar një sistem të tillë në shpejtësi, mund ta quaj nuk ka pasur parasysh disa aspekte të rregullimit të institucioneve që duhet të japin llogari jo vetëm institucioneve publike, që jemi të obliguar me Kushtetutë dhe me ligj. Për shembull ne i japim llogari Kuvendit të Kosovës, por neve duhet të kemi instaluar një proces kur llogaridhënia duhet t’i jepet edhe publikut, edhe qytetarit dhe në këtë aspekt Ministria e Drejtësis është krejtesisht e hapur”, tha Beqiri në “Tempus” të KTV-së.

I njëjti shtoi se çdo shpenzim në Ministrinë e Drejtësisë publikohet në ueb-faqen e kësaj Ministrie.

“Ne përveç se e bëjmë publikimin e të gjitha shpenzimeve në Ministrinë e Drejtësisë, cdo cent i cili shpenzohet në Ministrinë e Drejtësisë, çdo kafe e cila paguhet me paratë e qytetarëve, atë e keni në ueb-faqen e Ministrisë së Drejtësisë”, tha ai.

Në fund, Beqiri theksoi se llogaridhënia do të rritej duke investuar në procesin e digjitalizimit.

“Llogaridhënia në këtë drejtim kemi menduar dhe kemi planifikuar që më së miri do të rritet duke e investuar në procesin e digjitalizimit të sektorit të drejtësisë, digjitalizimi i sektorit të drejtësisë llogaridhënien do ta rrit në një masë tepër të madhe ku çdo kush do të sheh dhe do të marrë informacione nga dora e parë se çfarë pune është duke e bërë dhe çfarë llogarie ka dhënë për punën e realizuar”, tha Beqiri. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë