BEQIR DEDA DËSHMON NË RASTIN KUNDËR MENDERES SINANIT ME SHOKË

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë  –  Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, para gjykatësve të EULEX-it ka dhënë dëshminë e tij Beqir Deda në rastin kundër Menderes Sinanit dhe Vahid Tahiri, të akuzuar për veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, ”moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Gjatë marrjes në pyetje nga ane e prokurorit të çështjes, Drew Engel, dëshmitari Beqir Deda deklaron se është pronar i fabrikës për prodhimin e betonit “Burimi”, dhe se të dëmtuarin Bidajet Sylejmani e njeh përmes bashkëpunimit që ka pasur me kompaninë e këtij të fundit të quajtur “Luboteni”. Ai thekson se që nga viti 2008 ka bashkëpunuar me Bidajetin për shtrimin e asfaltit në Komunën e Shtërrpces, dhe kështu ka vazhduar deri në vitin 2012, kur puna e këtyre dy kompanive ka rënë dukshëm me arrestimin e Bidajetit. “Krahasuar më punën e bërë në vitin 2011, kemi pasur një rënie të madhe të punës. Jam ndier keq kur kam dëgjuar për atë çfarë ka ndodhur, për arrestimin e Bidajetit, sepse ai ishte klient i imi dhe kemi bashkëpunuar shumë”, është shprehur ai. Madje, dëshmitari Deda shton se para se të ndodhte arrestimi, saktësisht në janar të vitit 2012, të dy së bashku kishin udhëtuar në Gjermani për të blerë disa kamionë, ku më pas të dy blejtën edhe nga një veturë për vete.
Gjatë kësaj kohe kur dëshmitari merrej në pyetje, prokurori e ballafaqon atë edhe me deklaratën të cilën ai e kishte dhënë pas fillimit të këtij procesi gjyqësor, nga e cila doli të ketë shumë kundërthënie me atë çfarë po deklaronte në vazhdimësi. Sipas deklaratës së dëshmitarit, veturën e tipit Mercedes të cilën e bleu në Gjermani, e kishte këmbyer me tani të akuzuarin Menderes Sinani, pas arrestimit të Bidajet Sylejmanit. “Pas arrestimit të Bidajetit, më ka thirrë Besim Shabani dhe më ka thënë se duhet të takohemi se bashku edhe me një toger të Policisë. Kam shkuar në atë takim dhe e kam takuar për herë të parë. E kuptova se ishin ata persona që e kanë arrestuar Bidajetin” theksoi dëshmitari Deda. Mirëpo, këmbimi nuk kishte ndodhur herën e parë që ishin takuar këta të tre, dëshmitari Beqir Deda dhe dy të akuzuarit në këtë rast, Besim Shabani dhe Menderes Sinani, pasi atë ditë kishin biseduar lidhur me një çështje që kishte të bënte me biznesin e tij, sepse Menderesit i duhej beton për një ndërtesë që po e ndërtone në Ferizaj. Pas atij takimi, i njëjti ishte kontaktuar edhe njëherë nga këta dy të fundit, dhe kishin lënë edhe një takim tjetër ku edhe kishte shkëmbyer veturën e tij të tipit Mercedes, e vlerësuar me vlerën prej 17 mijë euro me atë të Menders Sinanit, e tipit Audi A4 e vlerësuar me vlerën prej 12 mijë euro, dhe 5 mijë euro të tjera do t’i merrte të gatshme pas një kohe, pasi për momentin Menderesi nuk mund të i’a paguantë atë shumë.  Megjithatë, dëshmitari shton se këtë këmbim nuk do ta kishte bërë me dëshirë por pse ndihej i obliguar në një mënyrë, mirëpo jo për faktin se kishte presion nga ata të dy. Ndërkaq, në një rast tjetër ai deklaron se ishte Besim Shabani që insitonte në këmbimin e veturave mes tij dhe Menderes Sinanit. Tutje ai shton se më herët nuk e kishte njohur asnjërin prej tyre.

Pas pothuajse tri orë marrjeje në pyetje, prokurori i çështjes propozon që nga salla të përjashtohet publiku, pa dhënë as edhe një arsyetim konkret, qoftë ai apo trupi gjykues. Ky propozim pasoi pas një bisede të shkrutër mes prokurorit dhe të dëmtuarit në këtë rast, Bidajet Sylejmanit, pak para se të vazhdonte marrja në pyetje e dëshmitarit Beqir Deda, pasi u bë një pauzë e shkurtër 15 minutëshe.

Në këtë shqyrtimit gjyqësor, prokurori i çështjes Drew Engel propozoi që në shkresat e lëndës të futen edhe dokumentet, si aktgjykimi për Bidajet Sylejmanin me numër të lëndës PKR.nr.73/14 i lëshuar nga gjykata komuanle e Ferizajit – Departamenti i Krimeve të Rënda, aktgjykimi kundër Arlind Krasniqit (dëshmitar në këtë rast) i lëshuar nga Gjykata Komunale e Prishtinës me nr. P.nr.149/08, informatat për dënimin e  Arlind Krasniqit  të cilat janë marrë nga prokuroria në Zvicërr, dokumentet që i referohen gjendjes aktuale profesionale të Menderes Sinanit, si dhe dokumentet që kanë të bëjnë me raportet financiare nga Banka Ekonomike të cilat pasqyrojnë gjendjen financiare që ka pasur  Bidajet Sylejmanit në kohën kur përshkruhet në aktakuzë.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Piotr Bojarchuk mori vendim që të pranohen të gjitha këto dokumente, duke përfshirë edhe listën e dëshmitarëve të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre në këtë rast.
Seanca e rradhës është caktuar të mbahet të premten më 18 mars.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 dhjetor të vitit 2013 kishtë ngritur aktakuzës kundër Menderes Sinanit, Besim Shabanit, Burim Veselit, Sami Matoshit, Ramadan Ajvazit, Agron Matoshit dhe Vahid Tahirit, për veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, ”moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, “detyrim”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, dhe “përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm”. Për pesë të tjerët është marrë nga një vendim, dhe ka mbetur të përfundojë edhe për dy të lartëpërmendurit, Menderes Sinanit dhe Vahid Tahirit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë