BEKIM LIKA DËNOHET ME NJË VIT BURGIM PËR VEPRËN PENALE LËNDIM I RËNDË TRUPOR

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Bekim Lika i akuzuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u shpall fajtor për shkak të kryerjes së kësaj vepre dhe të njejtit i’u shqiptua dënimi më burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë së Forenzikës në Prishtinë, për shkak se është konstatuar se tani i dënuari Lika, është me ngecje mentale esencialisht të zvogëluar dhe vuan nga një çrregullim mendor i cili quhet çrregullim psikotik.

Para shpalljes së aktgjykimit në këtë çështje penale ndaj të akuzuarit Bekim Lika, u mbajt shqyrtimi gjyqësor, gjatë së cilit ishte prezent edhe ekpserti – psikiatër nga Instituti i Psikiatrisë së Forenzikës në Prishtinë, Bujar Obertinca. Mirëpo edhe para se të dëgjohet eksperti, në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor, menjëherë pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit Shukri Jashari, lidhur me fajësinë i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për veprën që e ka kryer dhe gjithashtu deklaroi se e kupton natyrën e pranimit të fajësisë pasi që edhe siç deklaroi vetë i akuzuari është konsultuar mjaftueshëm me mbrojtësin e tij, avokatin Halil Ilazi. Ai tha se është penduar thellë për kryerjen e kësaj vepre mirëpo Lika tha se nuk ka qenë i vetëdijshëm për atë se çfarë ka bërë.

Tutje, u dëgjua eksperti psikiatër,  i cili deklaroi se kanë bërë ekzaminimin e të akuzuarit Lika në këtë institute nga data 13 nëntor 2015 deri më 3 dhjetor 2015 dhe tek i njejti është konstatuar se vuan nga një ç’rregullim mendor, i cili quhet ç’rregullim psikotik me klasifikim ndërkombëtar të sëmundjeve ai tha kjo sëmundje kodohet me shifrat F20, kurse karakteristika të kësaj sëmundje eksperti tregoi se janë cikliciteti i simptomave siç janë çrregullimet e sjelljeve, irritialiteti, situate e sjellur në mënyra frustrive, problem me të menduarit në formë të ideve, persekutimit dhe interferencës, problem të përceptimit në formë të halucinacioneve. Eksperti gjithashtu deklaroi se në momentin e kryerjes së veprës penale aftësia e të akuzuarit për t’i kuptuar veprimet dhe për t’i kontrolluar ato ka qenë esencialisht e zvogëluar, ndërsa gjendja aktuale e tij eksperti tha se është në përmirësim e sipër.

Gjithashtu në këtë shqyrtim ishin të pranishëm edhe dy të dëmtuarit Ali Lika dhe Agron Lika, të cilëve u kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore i akuzuari Bekim Lika, e me të cilët ishte edhe në lidhje gjaku . Të dëmtuarit në fjalën përfundimtare deklaruan se nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe as nuk parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike , sepse siç thanë të njejtit e kuptojnë gjendjen shëndetësore të të akuzuarit dhe që më parë nuk kanë pasur asnjëherë raporte të këqija me të.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzonte Bekim Likën për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 dhe nënparagrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 8 nëntor 2015, rreth orës 21:00, në korridorin e një objekti banesor në Ferizaj, i’u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, të dëmtuarëve Ali dhe Agron Lika, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në banesë, aty kishte shkuar i pandehuri, i cili fillimisht ka trokitur në derë kurse tani i dëmtuari Agron ka hapur derën e banesës dhe e ka ftuar të pandehurin të hyj brenda, mirëpo i njejti ngrit gishtin lart duke i thënë se “Zoti është një dhe askush përveq tij”, deri sa i dëmtuari kërkonte nga ai që të hynte brenda në banesë, i pandehuri e sulmon fizikisht me thikë duke i goditur njëherë mbrapa në pjesën e sipërme të veshkës së majtë, kurse me të dëgjuar zhurmën në korridor del edhe i dëmtuari Ali Lika, i cili kërkon nga i pandehuri që të qetësohet, mirëpo i pandehuri i drejtohet me fjalët “ju thej n’kurriz” dhe e sulmon me thikë duke e goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i’u shkaktuar lëndime të rënda trupore me rrezikim të jetës së tyre, dhe pas këtij sulmi i pandehuri është larguar nga aty.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë