BËHET LEXIMI I PROVAVE MATERIALE LIDHUR ME DALLAVERET ME PRONA NË LIPJAN

Raporton: Valdet HAJDINI

Lipjan – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Degën e Lipjanit, të marten, para gjyqtarit Shashivar Hoti ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor, për dallaveret me prona në Lipjan. Në këtë seancë është bërë leximi i provave materiale të lëndës, si dhe është dashur të dëshmoi zyrtari i Raiffeisen Bank, i cili nuk kishte ardhur në seancë.

Në lidhje me thirrjen e zyrtarit të Raiffeisen Bank, për të dëshmuar në seancën e ardhshme, përfaqësuesit të autorizuar Xhafer Maliqi tha se zbardhjen e të vërtetës dhe sqarimet rreth transfereve bankare të kryera në Raiffeisen Bank është e domosdoshme që zyrtari i bankës të vijë dhe të dëshmoi në këtë gjykatë.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me leximin e provave materiale, të cilat ishin bashkangjitur në aktakzuë, si dhe provave të propozuara nga palët gjatë rrjedhës së gjykimeve. Si prova materiale u lexua autorizimi për Milka Simianoviq për shitjen e pronës, kontrata për shitblerjen e pronës e lidhur mes Milka Simianoviq dhe të akuzuarit Rasim Llugiqi, marrëveshja për hapjen e llogarisë bankare të Milka Simianoviq, pasqyrat financiare të llogarive bankare të Milka Simianoviq dhe Rasim Llugiqi, dëftesat mbi pagesat e kryera në emër të shitjes së pronës, vërtetimi në gjykatë i kontratës së shitblerjes së pronës, ekspertiza financiare, të cilat nuk u kundërshtuan nga palët.

Seanca e ardhshme për këtë rast gjyqësor u caktua për 15 prill 2016, me fillim në ora 9:30.

Ky proces gjyqësor është në rigjykim dhe zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë, me të cilën i akuzuari Rasim Llugiqi ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi, më 12 .maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veproi në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq. Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurove, me arsyetimin të tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë