Bëhet bashkimi i dy lëndëve, shtyhet gjykimi për krim të organizuar

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Për shkak se u bë bashkimi i dy lëndëve, ka dështuar të mbahet gjykimi të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku 12 të akuzuar, ngarkohen për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.

Në këtë rast Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Falziu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Mentor Fazliu, akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Për shkak se gjykata ka bërë bashkimin e kësaj lëndë me lëndën me numër PS.nr.100/16, ku të akuzuar janë Albert Fazliu, Përparim Fazliu, Petrit Fazliu, Drilon Fazliu, Xhejlane Krasniqi, Arben Fazliu, Gazmend Fazliu, Xhevahir Suma, Shefki Hyseni, Fadile Iseni, Kreshnik Sefedini, për të njëjtat vepra penale, u vendos që seanca e së premtes të shtyhet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkimin e lëndëve nuk është kundërshtuar as prokurorja Merita Bina Rugova, e as mbrojtja.

Për këtë arsye, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini e ka shtyrë seancën deri më 6 dhjetor 2021, ku pritet të vazhdojë gjykimi me dy lëndët e bashkuara.

Ndryshe, Albert Fazliu, Advan Sopa, Perparim Fazliu, Arben Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Falziu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku, Petrit Morina, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Mentor Fazliu, akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndryshe, në këtë çështje të akuzuarit për armëmbajtje pa leje janë Arben Hoxha, Kadri Pantina, Kreshnik Demaku dhe Besim Javori, kanë pranuar fajësinë dhe ndaj tyre gjykata ka shpallur aktgjykim.

Po ashtu, në këtë rast të akuzuar për armëmbajtje pa leje kanë qenë edhe Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Sami Kelmendi por që ndaj tyre ishte veçuar procedura dhe ndaj tyre gjykata ka shpallur një aktgjykim.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Edon Bytyqi, por në fazat e mëhershme ishte veçuar procedura nga gjykatësja Albina Shabani-Rama pas pranimit të njoftimit nga Stacioni Policor në Suharekë, sipas të cilit ai ndodhej jashtë vendit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 10 dhjetor 2019, ndaj 20 të akuzuarve për disa vepra penale.

Sipas aktakuzës Albert Fazliu, Advan Sopa, Përparim Fazliu, Petrit Fazliu, Gazmend Fazliu, Milaim Shabani, Isa Rexhepi, Ragip Mehmeti, Nuhi Mazreku dhe Petrit Morina, gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri më 24 korrik 2019, në Prishtinë dhe vende të tjera, duke vepruar si grup i organizuar kriminal si bashkim i strukturuar me dashje dhe qellim që të kryejnë veprën penale kanë vepruar në kundërshtim me ligjin mbi armët, duke importuar armë dhe municion.

I pandehuri Kimran Ibishev thuhet se nga Republika e Maqedonisë Veriore kishte siguruar furnizimin me armë dhe municion për të pandehurin Albert Fazliu dhe Milaim Shabani, përmes ndërmjetësuesit Advan Sopa, i cili kishte transportuar armët me veturën e tipit “Golf 5”, ku më pas të akuzuarit në bashkëpunim me njëri tjetrin këto armë i kishin dërguar në punëtorinë e tyre në Prishtinë dhe kishin bërë modifikimin e armëve nga armë me gaz në armë të llojit tjetër, ku më pas i kishin shitur te persona të ndryshëm, derisa nga masat e fshehta ishin gjetur armët nga ana e policisë.

Në bazë të kësaj aktakuzë, thuhet se më pas policia gjatë kontrollit që kishte bërë në shtëpitë e të pandehurve Fazliu në lagjen “Kodra e Trimave”, kishte gjetur dhe konfiskuar 10 pistoleta të armëve me gaz, vegla pune, pastrues të armëve, ndërsa të groposura nën oborrin e shtëpisë së të pandehurit Albert Fazliu kishin gjetur edhe 25 pistoleta, armë me gaz.

Ndërsa, Bajrush Ademi, Ferat Ukaj, Skender Nuredini, Arben Hoxha, Kadri Pantina, Edon Bytyqi, Kreshnik Demaku, Besim Javori dhe Sami Kelmendi akuzohen për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që në shtëpitë e tyre secilit veç e veç, u ishin gjetur armë dhe fishekë të ndryshëm pa leje nga ana e Policisë së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë