Bëhet administrimi i provave në gjykimin ndaj të akuzuarave për mashtrim me subvencione

Rasti i Zana Kotorrit 11.10.2018
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Tetor 11, 2018

Prishtinë – Të enjten, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK), Zana Kotorri e akuzuar për mashtrim me subvencione së bashku me Ardiana Goranin dhe Hana Berishën.

Në këtë rast për të cilin Kotorri akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti, është bërë administrimi i provave nga ana e gjykatës, e që me pajtim të palëve provat e prezantuara më parë janë konstatuar si të lexuara.

Kurse, gjatë këtij shqyrtimi që ka filluar rishtas për shkak se është ndërruar plotësisht trupi gjykues, prokurori Haki Gecaj dhe mbrojtësit e të akuzuarave nuk paraqitën ndonjë propozim që të ftohej ndonjë dëshmitar i ri.

Në fillimin e seancës të së mërkurës, është administruar marrëveshja e bërë mes tri të akuzuarave ku ishin dorëzuar 16 mijë euro, pastaj raporti i ekspertizës grafologjike i kryer nga Agjencia për Forenzikë më 10 nëntor 2014 lidhur me nënshkrimet e vendosura nga ana e të akuzuarave dhe dëshmitares Yllka Kotorri, sipas së cilës ishin dorëzuar 16 mijë euro te e akuzuara Zana Kotorri.

Pastaj është vazhduar me administrimin e një vendimi të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim i datës 4 maj 2009,  ku mbrojtësit e të akuzuarve patën vërejtje.

Mirëpo, pas administrimit të një prove që kishte të bënte me organizatën joqeveritare, “SHIPPL” të cilën e udhëhiqte e akuzuara Gorani, avokati i saj Afrim Salihu, njoftoi gjykatën që ekzistonte një memorandum bashkëpunimi mes kësaj OJQ-je dhe OJQ-së së dëshmitares Melihate Husaj.

Pasi që në bazë të dëshmisë së dhënë nga ana e dëshmitares Husaj thuhej se ajo në bashkëpunim me Goranin kishin marr një projekt dhe implementimi i  tij ishte varur nga të dyja.

Husaj kishte deklaruar se kishte udhëhequr organizatën joqeveritare “Arti” e që e akuzuara Gorani i kishte kërkuar që ajo t’ia dorëzonte tre mijë euro lidhur me projektin, por Husaj kishte insistuar që përmes xhirollogarisë ta bënte këtë gjë.

Mirëpo, Husaj në seancën e 9 tetorit të këtij viti, vetëm ka deklaruar se mbetet pranë dëshmive të dhëna më parë në polici, prokurori e në seancat paraprake duke mos sqaruar këtë gjë, pasi që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Andaj në bazë të kësaj, avokati Salihu tha se kërkon të gjej memorandumin e bashkëpunimit ku është treguar më saktë se veprimet e ndërmarra nga e akuzuara Gorani kishin qenë në emër të organizatës së saj.

Lidhur me propozimin e Salihut, gjykata vendosi që seanca të ndërpritet, për t’i dhënë kohë mbrojtësit të sigurojë atë provë për të mbrojturën e tij, që të mund të procedohet me dëgjimin e të akuzuarave.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 15 tetor, duke filluar nga ora 09:30 ku pritet të japin mbrojtjen tri të akuzuarat, kurse më 2 nëntor pritet të jepet fjala përfundimtare për këtë rast.

Ndryshe në seancat e mbajtura këto ditë kanë dhënë dëshminë e tyre edhe katër dëshmitarët Yllka Kotorri, Hamdi Halaj dhe Melihate Hulaj dhe Naile Halaj.

Kurse, është shqyrtuar edhe marrëveshja për pranim të fajësisë e lidhur mes prokurorit Gecaj dhe të akuzuarës Adriana Goranit për veprën penale “mashtrimi”, e të cilën marrëveshje e ka aprovuar gjykata.

Ky gjykim ka filluar rishtas për shkak se ky është trupi i tretë gjykues që e merr në punë këtë lëndë, rasti kishte qenë te gjykatësi Valon Kurtaj i cili ka kaluar në pozitën e drejtorit të Akademisë së Drejtësisë, e që pas largimit të tij lëndën e kishte marrë gjykatësja Shadie Gerguri.

Mirëpo, pas ardhjes së gjykatësve të ri, rasti ka kaluar te gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, e cila ka vendosur që sipas dispozitave ligjore të fillojë rishtas me gjykimin ndaj tri të akuzuarve, ku pritet që edhe njëherë të dëgjohen të dëmtuarit dhe dëshmitarët e këtij rasti.

Përkundër deklarimit të prokurorit Gecaj dhe mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Xhafer Maliqi dhe Afrim Salihu që të konsiderohen të lexuara ose të lexohen veprimet e ndërmarra më parë, gjykatësja Kuka-Mekaj kishte thënë se pasi që është ndërruar komplet trupi gjykues nuk do të konsiderohen të lexuara, por do të fillohet nga e para.

Në seancën e 18 shtatorit 2017, Zana Kotorri dhe Hana Berishës nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat i ngarkon akuza, ndërsa e akuzuara Gorani kishte pranuar fajësinë për njërën pikë të aktakuzës, përkatësisht për veprën penale të mashtrimit.

Ndryshe, gjykimi ndaj ish-sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri dhe dy të akuzuarave tjera, Hana Berisha dhe Ardiana Gorani, është përballur me shtyrje të shumta të seancave.

Vetëm në periudhën maj-gusht të vitit të kaluar, pesë herë me radhë ishin shtyrë seancat për arsye të ndryshme.

Aktakuza e ngritur nga prokurori Besim Kelmendi, e ngarkon Zana Kotorrin, që në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në bashkëpunim me Hana Berishën, kanë marrë pjesë në bashkim kriminal.

Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga kjo ministri dhe pastaj, shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha.

Sipas aktakuzës, përmes Hana Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Govori, kishte rënë në kontakt me Zana Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës, Govori.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e kishte marrë, Ardiana Govori.

Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, prokuroria akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Govori, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri akuzohet edhe për veprat “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”. Hana Berisha dhe Ardiana Govori, ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.