Basri Lenjani dënohet me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për mosraportim të pasurisë

Raporton: Albina Krasniqi

Prishtinë – Ish-drejtori i Emergjencës në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Lenjani është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dh e 500 euro gjobë për mosraportim të pasurisë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Lenjani u bë të hënën nga gjyqtarja Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dënimi me burgim prej 6 muaj, të akuzuarit Lenjani nuk do t’i ekzekutohet nëse nuk kryen vepër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.

Ndërsa, në rast se i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, ky dënim do t’i zëvendësohet me dënim më burg, duke llogaritur 20 euro një ditë të kaluar në burg.

I njëjti obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale, në emër të paushallit gjyqësor dhe fondit për viktimat e krimit të paguajë 30 euro.

Pala e pakënaqur, ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 maj 2022  i akuzuari Lenjani është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë. 

Aktakuza e përpiluar në qershor të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkonte Basri Lenjanin se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e ka deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Aty thuhet se i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, Fatime Lenjani, me emrin “OS Oral Dent”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lenjani po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro e 55 centë, ku 2 mijë e 763 euro e 13 centë i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2 mijë e 441 euro e 10 centë i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asocuar .

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë