BASRI KOSUMI DËNOHET TETË MUAJ ME BURGIM ME KUSHT PËR RREZIKIM NË TRAFIK

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I pandehuri  Basri Kosumi i akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik” pas pranimit të fajësisë u dënua me burgim me kusht në kohëzgjatje prej tetë muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i pandehuri brenda periudhës kohore prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale. Gjithashtu me këtë aktgjykim pala e dëmtuar u udhëzuar në kontest civil për realizimin e kompensimit të dëmit. Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj nga gjykatësi individual i çështjes Adem Shabani,

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Basri Kosumi akuzohej për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik” sepse më 23 prill 2013 rreth orës 18:45 në rrugën magjistrale Prishtinë – Kaçanik, duke drejtuar veturën e tij, nga pakujdesia ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe të pasurisë, në atë mënyrë që me të arritur përballë NTP “Lirimi” në Ferizaj duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës dhe rrethanave të rrugës, duke mos pasur mundësi ta ndal veturën para kolonës ka tejkaluar disa automjete pa u siguruar se tejkalimin mund t’a bëjë në mënyrë të sigurtë, pa i rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion dhe gjatë fillimit të tejkalimit pa u bindur, kur e sheh rrezikun nga automjeti tjetër që e kishte drejtuar i dëmtuari Lutfi Jusufi veç kishte qenë në përfundim të kthimit majtas dhe përkundër frenimit e kishte goditur në anësoren e majtë te dera e shoferit jashtë rrugës, me ç’rast pos dëmeve material në të dy veturat, lëndime të rënda trupore kishte pësuar nëna e të akuzuarit Florije Kosumi kurse lëndime të lehta trupore pëson i dëmtuari Lutfi Jusufi.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë