Banorët e Lakrishtës kundër Prishtina Parking, Komuna paralajmëron rregullore të re për organizimin e parkingjeve

Raporton: Mirjeta DURAKU

Banorët e lagjes Lakrishtë në kryeqytet po vazhdojnë të kundërshtojnë që parkingjet para banesave të tyre të menaxhohen nga Prishtina Parking, që sipas tyre, këtë po tenton ta bëjë jashtëligjshëm.

Njohja si banorë rezidentë e ndryshim të rregullores së Komunës së Prishtinës për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve, janë dy kërkesat kryesore që i kanë banorët në rrugën “Viktor Majer” në lagjen Lakrishtë.

Derisa nga Prishtina Parking deklarojnë se parkingu në këtë lagje i plotëson kushtet për të qenë me pagesë, nga Komuna e Prishtinës paralajmërojnë ndryshim të rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në kryeqytet.

Jahë Balaj, përfaqësues i banorëve të lagjes Lakrishtë, thotë se ndërmarrja Prishtina Parking jashtëligjshëm po tenton që parkingun që iu takon banorëve ta bëjë me pagesë.

“Nëse e pranojmë këtë rregullore, këtë menaxhim, jemi në një lojë të pabarabartë me të tjerët, sepse këta i kanë dhënë të drejtë me na shit neve parkingun, me ju shit qytetarëve që hyjnë sipas dëshirës sipas nevojës, plus me shit për rezervim. Do të thotë e shesin tri herë parkingun që është i projektuar për këtë ndërtesë”, thotë ai.

Banorët me protesta e kanë kundërshtuar fillimin e zbatimit të menaxhimit të parkingut nga Prishtina Parking me 1 mars, po ashtu kanë kundërshtuar edhe punimet për shenjëzimin horizontal dhe vertikal nga Prishtina Parking, si dhe bllokimin e makinave që iu është bërë nga ndërmarrja.

“Me Ligj të trafikut Prishtina Parking e as askush tjetër nuk guxon me gjobitë për parking, me blloku makinën ose me bartë makinën, është e drejtë ekskluzive e Policisë së Kosovës”, thotë Jahë Balaj, përfaqësues i banorëve të lagjes Lakrishtë.

Edhe Xhevdet Potera, banor i kësaj lagje tashmë 10 vite, thotë se banorët rezidentë nuk duhet të paguajnë për parkingjet që janë të tyre.

“Përkundër pagesës që mendojnë ata me e inkasu prapë se prapë nuk garantohet parkingu, nëse gjen parking mirë, nëse jo mbetesh në mëshirë të fatit, do të thotë edhe pse paguan parking nuk gjen”, thotë Potera.

Përfaqësuesi i banorëve të lagjes Lakrishtë, Jahë Balaj, thotë se ka pranuar kërcënime për kundërshtimet që i ka bërë ndaj Prishina Parking, për çka ka ushtruar kallëzim penal ndaj togerit të stacionit policor Jugu në Prishtinë, Eshref Beqiri dhe Granit Prestreshi i punësuar në Prishtina Parking.

“Edhe ajo ka qenë një shenjë që diçka nuk është në rregull, do të thotë ata me çdo kusht tentojnë dhe me çdo mënyrë tentojnë me e realizu”, thotë ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Prishtina Parking, Liridon Restelica, nuk ka pranuar të japë intervistë për “Betimi për Drejtësi”, megjithatë përmes një përgjigje me shkrim thotë se parkingu në lagjen Lakrishtë plotëson kushtet që të jetë vendparking me pagesë.

Nga përgjigja e Restelicës, mbetet të kuptohet se nuk do të ketë pezullim të pagesës për parkingje për banorët rezidentë të kësaj lagje.

“Banorëve të cilët janë regjistruar do t’iu vazhdohet kartela e rezidentit nga data kur ne do të fillojmë aktivitetin tonë në lagjen Lakrishte”, thuhet në përgjigjen e Restelicës.

Në anën tjetër, në një përgjigje me shkrim, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka bërë të ditur se tashmë është themeluar një komision për të ndryshuar rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në kryeqytet.

“Komisioni është duke punuar në rregulloren e re dhe shumë shpejtë gjatë javëve të ardhshme do të ftoj të gjitha palët me interes në dëgjim publik dhe për komentim të rregullores. Komisioni, por edhe Kryetari Rama, kanë parasysh të gjitha ankesat e qytetarëve të Prishtinës, dhe ato po merren në konsideratë me vëmendje të shtuar”, thuhet në përgjigje.

Në bazë të  çmimores së Prishtina Parking, banorët rezidentë që i përkasin Zonës II, për parking mund të bëjnë pagesë mujore dhe vjetore. Pagesa mujore kushton 7 euro, ndërkaq për pagesë vjetore 70 euro.

Rregullorja e Komunës së Prishtinës për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës është miratuar më 1 gusht 2019./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë