Avokatja e të akuzuarit thotë se aktakuza bie në kundërshtim me dëshminë e të dëmtuarit

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Avokatja, Myrvete Qollaku, ka kundërshtuar akuzën për detyrim ndaj të mbrojturit të saj, Fadil Selimi.

Avokatja Qollaku, në shqyrtimin e dytë, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ka deklaruar se akuza e detyrimit nuk mund të qëndrojë, nëse merret parasysh deklarata e të dëmtuarit Ibrahim Kazaz.

Ajo ka lexuar një paragraf të deklaratës së të dëmtuarit Ibrahim Kazaz, të dhënë në Prokurorinë Themelore në Prizren, lidhur me rastin në fjalë.

Sipas saj, i dëmtuari ka deklaruar se me të akuzuarin ka bërë tregti dy herë, ku nga i njëjti ka marrë dy automjete, me marrëveshje që në vend të parave, i akuzuari, të marrë mobile nga dyqani i tij.

Ajo lexoi edhe pjesën ku i dëmtuari ka thënë se pasi që i janë shpenzuar mobilet, i akuzuari ia ka kërkuar paratë disa herë, por se asnjëherë nuk i është kërcënuar dhe nuk i ka kërkuar kamatë.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, ka propozuar që kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të refuzohet, pasi që provat janë nxjerrë në mënyrë të ligjshme.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka përfunduar shqyrtimin e dytë dhe shqyrtimin kryesor do ta caktojë pasi që të vendosë lidhur me kërkesën e mbrojtëses.

I akuzuari, është pjesë e një aktakuze prej 10 personave, të cilët akuzohen për fajde, detyrim dhe armëmbajtje, por për shkak se i njëjti ka qenë jashtë shtetit deri më tani, lënda ndaj tij është veçuar.

I njëjti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, për të cilën vepër, ka pranuar fajësinë.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin se ka shkuar te shtëpia e të dëmtuarve Sefedin dhe Ibrahim Kazazi, duke i kërcënuar me armë, u ka kërkuar borxhin dhe ka marrë nga të dëmtuarit shumën prej rreth 11 mijë eurove.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë