Avokati revokon autorizimin për njërin nga të akuzuarit, shtyhet seanca ndaj ish-kryetarit të Kllokotit dhe të tjerëve

Sasha Mirkoviq
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Korrik 13, 2018

Gjilan – Me kërkesë të të akuzuarit, Elbasan Alidema, është shtyrë gjykimi ndaj tij dhe ish-kryetarit të Kllokotit, Sasha Mirkoviq, si dhe tre zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira.

Ish-kryetari Mirkoviq dhe Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, akuzohet se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi me 2012, kanë pranuar një kontratë me të cilën kompania “Metali”, ka pasur të sjellë në komunë inventar në vlerë prej 29,330.00 euro, por që i njëjti nuk ka ardhur në komunë.

Për veprën e njëjtë penale është duke u akuzuar edhe pronari i kompanisë “Metali”, Elbasan Alidema, për të cilat prokuroria pretendon se e ka shkaktuar dëmin prej 29,330.00 euro.

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, deri të një revokim i tillë ka ardhur, sipas shkresës që e lexoi kryetari i trupit gjykues, Islam Thaqi, ku mbrojtësi i të akuzuarit Alidema, avokati Idrz Syla, kishte kërkuar revokimin e autorizimit për shkak se sipas tij, nuk i ishin bërë pagesat me kohë nga ana e klientit të tij.

Për këtë arsye, i akuzuari Alidema edhe ka kërkuar që të shtyhet kjo seancë, përderisa ka shtuar se avokati as që e kishte njoftuar për revokimin dhe se sipas tij, ai kishe bërë të gjitha pagesat me kohë.

Ai ka kërkuar nga gjykata që t’i jep kohë për të gjetur një avokat tjetër.

Trupi gjykues e njoftoi të akuzuarin se për seancën e radhës duhet të caktojë avokatin në të kundërtën seanca e radhës do të mbahet edhe pa avokat, pasi që në këtë çëshje penale juridike, nuk ka të bëjë me mbrojtje të detyrueshme.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë që dëshminë e tij ta jepte dëshmitari Aleksdander Stoikonviq, zyrtari i Komunës së Kllokotit, i cili sipas prokurorit ka qenë anëtar i komisionit për verifikimin e inventarit që ka qenë te ndërmarrja “Metali”.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 1 tetor 2018, nga ora 9:00

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, më 22 dhjetor 2015, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, Mirkoviq në dhjetor të vitit 2012, në cilësinë e kryetarit të komunës ka lejuar nënshkrimin e kontratës për shitblerje me kompaninë NTP “Metali” për inventarin-mobile për zyra, i cili asnjëherë nuk kishte arritur ne objektet e komunës.

Ndërkaq, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, akuzohen që si anëtarë të komisionit për pranimin e inventarit të komunës, kanë nënshkruar përmbushjen e kontratës edhe pse një gjë e tillë nuk kishte përfunduar, e gjithë kjo me qellim që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të bëjë pagesën për kontratën e blerjes së inventarit nga NTP “Metali”, me çka Komuna e Kllokotit është dëmtuar në vlerë prej 29,330.00 euro.

Ndërsa, i pandehuri Elbasan Alidema, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi pretendohet se si pronar i firmës N.T.P “Metali”, me qellim përfitimi, i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti më 17 dhjetor 2012 edhe pse nuk e kishte dërguar në komunë inventarin komunal në këtë rast Komunës së Kllokotit, duke përpiluar faturat, kinse në tërësi është përmbushur kontrata e  5 dhjetorit 2012 fituar në tenderin, sipas konkursit KI 660 12 025 121, e që si pasojë nga MAPL-ja i kryhet pagesa nga Komuna e Kllokotit, në vlerë prej 29,330.00 euro.

Ndryshe, ish-kryetari i Kllokotit Sasha Mirkoviq, është duke u përballur me shumë akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi që ai në bazë të orarit të seancave të Gjykatës Themelore në Gjilan, vetëm në këtë javë i ka pasur të caktuara tri seanca në lëndë të ndryshme, për të cilat në vazhdimësi është duke raportuar “Betimi për Drejtësi”.