AVOKATI RAMIZ SUKA FYEN RËNDË KRYETARIN E TRUPIT GJYKUES, PËRJASHTOHET NGA PROCESI GJYQËSOR

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë  – Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-zyrtares së Komunës së Obiliqit, Ivana Spasiq, e cila akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”, u përcjell me fyerje e akuza nga ana e avokatit Ramiz Suka ndaj kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Beqir Kalludra.

Ky i fundit gjatë seancës të së mërkurës, pas tërheqjes së vërejtjes disa herë ndaj avokatit Suka për ndërhyrje pa lejen e trupit gjykues, mori vendim për shqiptim të vërejtjes me shkrim ndaj avokatit në fjalë.

Ky vendim  i trupit gjykues vetëm sa e “dhezi” më shumë avokatin, i cili e akuzoj atë për njëanshmëri në këtë proces gjyqësor, dhe kërkoj largimin e tij nga ky proces gjyqësor.

“Unë po propozoj që ti Beqir Kalludra të përjashtohesh nga ky trup gjykues në këtë çështje penale. Mendoj se gjyqtari  Beqir Kalludra nuk është neutral. Disa herë prokurorja fol pa e marr fjalën dhe mua nuk më lejohet”, u shpreh avokati Suka.

Kryetari  i trupit gjykues mori vendim që kërkesa e avokatit të shqyrtohet nga kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi dhe seanca të shtyhet deri në vendimin e  kësaj kërkese.

Por, e akuzuara Ivana Spasiq, reagoj duke thënë se nuk dëshiron të jetë viktimë e konflikteve, siç i quajti ajo personale mes kryetarit të trupit gjykues dhe mbrojtësit të saj, avokatit Suka. “Mos të jem unë viktimë e kësaj. Nuk dua të ketë keqkuptime dhe mosmarrëveshje. Kërkoj që seanca të  mos shtyhet pasi nuk kam asnjë vërejtje”, u shpreh e akuzuara Ivana Spasiq.

Por, kryetari i trupit gjykues, e siguroj të pandehurën se në asnjë rast nuk mund të jetë viktimë në vendimet tij.  “Asnjë palë nuk mund të jetë viktimë e vendimeve të mija. Mbrojtësi i juaj vlerësoi se unë nuk jam objektiv në këtë çështje. Betohem se personalisht nuk kam asgjë me të. Është gjykimi i parë që ka te unë”,deklaroj kryetari i trupit gjykues.

Megjithatë, gjyqtari Kalludra  ia dha edhe një mundësi të pandehurës dhe mbrojtësit të saj që të koordinojnë mendimet e tyre rreth kësaj çështje. “Para se të vendosim për ecurinë e kësaj procedure, duke dëgjuar këtë mendim tuajin, para se me ndërpre seancën, ne do të ju ofrojmë kohë që të bisedoni me mbrojtësin e juaj dhe  të harmonizoni mendimet, do vendosim”, u shprehë gjyqtari Kalludra.

Por, reagimi  i avokatit ishte edhe më i ashpër. “Ju jeni shumë i dobët Beqir Kalludra…  Unë  për këtë çështje e dhash mendimin tim.  Edhe motrën tënde e kam pasur kliente, por ajo më e fort se ti ka qenë”, ishin fjalët me të cilat avokati iu drejtua gjyqtarit.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues mori aktvendim që të përjashtohet nga kjo çështje penale avokati Ramiz Suka, dhe ftoj të pandehurën  që për seancën e radhës të caktoj një mbrojtës tjetër. Trupi gjykues po ashtu mori vendim që kërkesa e avokatit për përjashtimin e kryetarit Beqir Kalludra të shqyrtohet, ndërsa seanca e radhës u shty për kohë të pacaktuar.

I gjithë ky debat mes kryetarit të trupit gjykues dhe avokatit nisi derisa dëshmitari i ftuar i prokurorisë Azem Spanca po përfundontë dëshminë e tij.

Dëshmitari Spanca gjatë deklaratës së tij para trupit gjykues pohoi se mbetet prapa deklaratave të dhëna në prokurori dhe gjykatë më herët. Dëshmitari mohoi fjalët e avokatit se i njëjti ka pasur presion nga prokuroria deri sa ka dhënë deklaratën e tij.

Dëshmitari Azem Spanca  pranoj që ka pasur presion psikologjik, por jo nga prokurorja, por për shkak të gjendjes së rëndë të djalit të tij, i cili në atë kohë ishte i sëmurë rëndë.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon të akuzuarën Ivana Spasiq për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas pretendimit të prokurorisë, e akuzuara më 19 shtator 2013, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të personit tjetër. Në cilësi të anëtares së komisionit, ajo kishte përpiluar raportin përfundimtar, gjoja se ishin kryer të gjitha punimet sipas kontratës dhe aneks kontratës, me ç’rast i kishte mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme pronarit të firmës NNP “Ardi”, duke i shkaktuar dëm material Kuvendit Komunal të Obiliqit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë