Avokati pa shkresa të lëndës, shtyhet gjykimi ndaj te akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikut

Mitrovice
Author

Raporton Djellza ZYHRANI

Korrik 21, 2021

Mitrovicë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, është shtyrë gjykimi ndaj të akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikut, Fatbardh Abazi.

Shtyrja e seancës është bërë me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Musa Damati, i cili ka thënë se ai ende nuk është pajisur me shkresa të lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga prokurori Jovo Radoviq dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësja Branka Semenov.

Seanca e radhës është caktuar më 3 shtator 2021, në ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 21 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fatbardh Abazi.

Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor 2020, rreth orës 19:30 në rrugën “Salih Sejdiu”, në fshatin Lushtë të komunës së Mitrovicës, Njësia Hetimore për luftë kundër narkotikëve në Mitrovicë – Jug, në veturën e tij kishte gjetur një paketim të cigareve me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë 9,41 gram, e cila ishte gjetur në pakon e ndihmës së parë.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 269 paragrafi 1 të KPRK-së.