Avokati në seancë tjetër, nuk mbahet seanca ndaj zyrtarit të policisë për shpërdorim të pozitës zyrtare

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Seanca e paraparë të mbahej më 6 tetor 2016, në ora 09:30, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj ish-zyrtarit të Stacionit Policor në Ferizaj, Bekim Shaqiri i akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare apo i autoritetit zyrtar”, nuk u mbajt për arsye se mungoi mbrojtësi me autorizim i të pandehurit, avokati Avni Ibrahimi.

Lidhur me mungesën e avokatit Ibrahimi, kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, konstatoi se i njejti ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të prezentoi në këtë gjykim për arsye se kishte të caktuar një seancë tjetër në të njejtin orar, ku do të përfaqësonte një të akuzuar ndaj të cilit është ngritur akuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Andaj, për shkak se proceduralisht seanca nuk mund të vazhdoj pa prezencën e mbrojtësit, shqyrtimi gjyqësor nuk u mbajt, ndërsa seanca e rradhës u caktua për 4 nëntor 2016, në ora 09:00.

Çështja penale ndaj Shaqirit, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, meqenëse i padehuri në dhjetor të vitit 2015 nga po e njejta Gjykatë, është shpallur fajtor për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” dhe është gjykuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej shtatë (7) muaj.

Ndërkaq, tani i pandehuri akuzohet për veprën penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi që prokurori i çështjes Rasim Maloku ka bërë ndryshimin e akuzës.

Sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj , i pandehuri Bekim Shaqiri në cilësinë e personit zyrtar – polic patrollues në Stacionin Policor në Ferizaj, ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke shkelur ligjin me detyrat e tij, në atë mënyrë që me ndërmjetësimin e Leonel Misinit është takuar me Betim Shabanin, me ç’rast e ka udhëzuar të njejtin që të mos pranojë asgjë në polici me rastin e dhënies së deklaratës në një çështje penale “vjedhje e rëndë”, ku këta të fundit kishi qenë të dyshuar për këtë vepër penale. Me këtë ka kryer veprën penale “shpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë