Avokati mbrojtës kërkon shkresat e lëndës, shtyhet seanca për të akuzuarin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Hamdi Tërbeza
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahet të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj zyrtarit në Stafin Civil të Drejtorisë së Logjistikës të Policisë së Kosovës, Hamdi Tërbeza, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, u shty sepse avokati mbrojtës Durim Osmani, nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës.
Avokati Osmani tha se të martën e kishte marrë autorizimin nga i akuzuari Tërbeza për përfaqësimin e tij, dhe si pasojë nuk i ka shkresat e lëndës. Prandaj ai kërkoi nga trupi gjykues, që seanca të shtyhet për një datë tjetër derisa ai të pajiset me shkresat e lëndës dhe të përgatitë mbrojtjen e klientit të tij.
Pas konsultimit me trupin gjykues dhe me prokurorin Feti Tunuzliu, kryetarja e trupit gjykues Valbona Musliu Selimaj, mori aktvendim që seanca të shtyhet për 28 shtator 2016, në ora 10:30.
Sipas aktakuzës, Hamdi Tërbeza si zyrtarë në Stafin civil të Drejtorisë së Logjistikës të Policisë së Republikës së Kosovës, me qëllim që vëllai i tij Artan Tërbeza ta jap provimin për patentë shofer për kategorinë “B”, duke mos iu nënshtruar fare testit, e kishte kërcënuar përmes një sms-i Kasim Hoxhën, instruktor në auto-shkollën “Anita” në Prishtinë. Gjithnjë sipas aktakuzës, Tërbeza e kishte kërcënuar instruktorin Kasim Hoxha, që i njëjti ta kryej testin me shkrim në emër të vëllait të tij, Artan Tërbezës, përndryshe do të shkoj të marrë komandantin e te kthehet me të, duke i thënë se ia kishte përgatitur vendin që ta lidhë e ta detyrojë për t’ia kryer testin.