Avokati kërkon që seanca të vazhdojë pa prezencën e tij, shtyhet seanca kundër ish-kreut të OSHP-së, Hysni Hoxha

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë –  Kërkesa e mbrojtësit të ish kreut të Organit shqyrtues të prokurimit, Hysni Hoxha, avokatit Sahit Bibaj bëri që trupi gjykues ta shtyjë seancën për një datë tjetër.

Bibaj kërkoi nga gjykata që seanca të vazhdojë pa prezencën e tij, pasi i njëjti ishte i angazhuar në një rast tjetër, marrëveshje kjo e arritur me të mbrojturin e tij, Hoxha, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Këtë propozim nuk e kundërshtoi as prokurori special, Haki Gecaj, por theksoi se do ishte e drejtë që të respektohej e drejta e mbrojtjes profesionale për të pandehurin Hoxha.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Beqir Kalludra vendosi që seanca të shtyhet, pasi ky rast kërkon që të jetë e pranishme mbrojtja profesionale.

Gjykata caktoi seancën e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor më 27 tetor, duke filluar në orën 09:00.

PSRK-ja e ngarkon Hoxhën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi në cilësinë e kryetari të OSHP-së me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore i tejkalon kompetencat  e tij ligjore ashtu që me 3 tetor 2014 dhe 9 tetor 2014 kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të prokurimit Publik .

Kjo akuzë është ngritur lidhur me ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh,  edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas prokurorisë ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve. Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240.19 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë