Avokati kërkon hudhjen e aktakuzës për korrupsion ndaj zyrtarit të ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, prokurori kërkon të vazhdohet me gjykim

IMG_5136
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Nëntor 19, 2020

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj zyrtarit të ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, Lulzim Beqiraj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Beqiraj, avokati Alban Arifi, deklaroi se mbetet pranë kërkesës së ushtruar për hudhje të aktakuzës, sipas së cilës nuk ka prova të mjaftueshme për kryerjen e kësaj vepre nga i mbrojturi i tij.

I njëjti i ka propozuar gjykatës që ta aprovoj kërkesën si dhe ta refuzoj aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë kërkesë, prokurori Arian Gashi tha se nuk e kishte pranuar, për të cilën ai i ka kërkuar gjykatës që ta refuzoj dhe të procedoj tutje me gjykim.

Për refuzimin e kërkesës apo hudhjen e aktakuzës, gjykatësi i rastit, Vesel Ismajli, tha se palët do të njoftohen me aktvendim.

Sipas aktakuzës së ngritur me 11 maj 2016,  i pandehuri Lulzim Beqiraj, me datën 25 nëntor 2013, rreth orës 11:00 derisa ka qenë në detyrë zyrtare duke drejtuar veturës e markës “Hunday- Acet”, pronë e ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc” sh. a Prishtinë, ka shkaktuar vet aksident duke dëmtuar veturën dhe për këtë nuk e kishte lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës.

Aktakuza thotë se i njëjti ka keqpërdorur pozitën zyrtare apo autoritetin zyrtar, duke e dërguar veturën zyrtare të aksidentuar në fshatin Bardhosh, Komuna e Prishtinës, në një autoservis privat për rregullim, ku nga dëmtimi i veturës, të njëjtës i kanë munguar radiokasetofoni dhe bateria, e cila veturë nga dëmtimi ka mbetur në gjendje të paaftë për vozitje dhe riparim e me ç’rast të dëmtuarës ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 2,799 euro. /BetimipërDrejtësi