Avokati kërkon anulimin e vendimit të Komunës së Gllogocit me të cilin thotë se padrejtësisht ishte ngarkuar me taksë komunale

adm 2
Author

Rapoeron: Gzime HASHANI

Tetor 7, 2020

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku Gëzim Plakaj ka paditur Komunën e Gllogovcit, respektivisht Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik.

Plakaj po kërkon nga Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë të anulojë vendimin e kësaj komune, me të cilin ishte refuzuar ankesa e tij ndaj vendimit për pagesën e taksës në shumë prej 700 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pagesën e një shumë të tillë po e kundërshton paditësi i cili gjatë seancës së mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai deklaroi se pagesa e kësaj takse është ngarkesë shumë e madhe për të, meqenëse ai paguan disa lloje të taksave Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) për ushtrimin e veprimtarisë së avokatisë.

Ai tha së për të kërkuar një taksë të tillë, komuna është dashur që t’i shërbejë diçka veprimtarisë së tij. “Pyetja është se si një biznes mund t’i paguaj një institucioni derisa ai biznes nuk ka marrë shërbime nga ai institucion” tha Plakaj.

“Gjykatës i bëj me dije se avokatia i nënshtrohet ligjit të posaçëm të avokatisë me të cilin është e përcaktuar e drejta për ushtrimin e avokatisë e fitohet me regjistrimin në regjistrin e OAK-së, përkundër veprimtarive të tjera të cilat regjistrohen në ARBK”  deklaroi paditësi.

Ai tha se avokatia nuk i nënshtrohet pushtetit lokal duke shtuar se dyfishimi dhe trefishimi i taksave është i papërballueshëm.

“Unë si i ri në pamundësi për t’u punësuar në institucione shtetërore jam detyruar të vetëpunësohem” shtoi avokati Plakaj.

Ai kërkoi nga gjykata që vendimin e të paditurës ta anulojë dhe çështjen ta kthej në rivendosje tek organi administrativ.

Ndërkaq përfaqësuesja nga Komuna e Gllogocit,  Violeta Baleci, deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë e paditësit dhe kërkon nga gjykata që e njëjta të refuzohet si e pabazuar.

“Komuna e Drenasit e kundërshton në tërësi  padinë e paditësit Gezim Plakaj dhe në të njëjtën kohë qëndron në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe provat të cilat i janë bashkangjitur përgjigjes në padi” tha Baleci.

Ajo deklaroi se vendimi i atakuar është në përputhje të plotë me Ligjin mbi Financat Publike dhe taksa me të cilën është ngarkuar biznesi individual i paditësit Plakaj është e drejtë.

Gjatë kohës sa po deklaronte përfaqësuesja e të paditurës, reagoi paditësi të cilit më pas iu tërheq vërejtja jashtë procesverbalit nga gjykatësi i çështjes, Fisnik Nuli.

Lidhur me pretendimet e të paditurës, paditësi Plakaj deklaroi se taksa në fillim kishte qenë 200 euro dhe më pas ishte rritur në 500 euro.

Ai kërkoi nga gjykata që dispozitën e rregullores e cila i referohet taksës për biznese individuale ta interpretojëashtu që të kuptojë nëse vlen edhe për zyrat e avokatisë apo jo.

Pas administrimit të provave, palët dhanë fjalën e tyre përfundimtare.

Paditësi deklaroi se kërkon nga gjykata aprovimin e padisë së tij dhe kthimin e çështjes në rivendosje tek organi administrativ.

Përfaqësuesja e palës së paditur deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklarimeve të dhëna me shkrim në përgjigje në padi dhe ato gjatë seancës, duke kërkuar që padia e paditësit të refuzohet si e pabazuar dhe të mbetet në fuqi vendimi kontestues.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 15 tetor 2018, paditësi Gëzim Plakaj kishte kërkua nga Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë të anulojë vendimin e Komunës së Gllogocit, respektivisht Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim ekonomik.

Kjo pasi që me vendimin e datës 18 shtator 2018 Komisioni Komunal për shqyrtimin e ankesave ndaj taksës Komunale kishte refuzuar ankesën e paditësit si të pabazuar, duke e lënë në fuqi vendimin e të paditurës me të cilin Plakaj ishte obliguar që për biznesin e tij individual – zyrën e avokatisë të paguajë shumën prej 700 euro për vinin 2018 dhe një pjesë për atë 2017.

I pakënaqur me këtë vendim paditësi ka iniciuar konflikt administrativ pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit për Çështje Administrative, lëndë e cila gjykohet në Divizionin Fiskal të kësaj gjykate. /BetimipërDrejtësi