Prishtinë – Mbrojtësi i të akuzuarit Menderes Sinani, avokati Aziz Rexha, ka reaguar në disa pyetje të prokurorit Drew Engel, të parashtruara për klientin e tij. Gjatë kohës kur ky i fundit e ka pyetur të akuzuarin lidhur me familjen e tij, avokati Rexha i është drejtuar trupit gjykues me fjalët ”Hiqmu tij pashë Zotin”. I njëjti ka ndërhyrë duke thënë se nuk duan të përgjigjen në pyetjet që kanë të bëjnë me familjen e Sinanit: “Që ka nevojë zotëria le të tregoj për familjen e vet” tha ai. Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Piotr Bojarchuk, ka kërkuar që të kalohet në pyetjet e rradhës.
Mirëpo kjo nuk ishte hera e vetme kur i akuzuari Sinani dhe mbrojtësi i tij kanë kundërshtuar pyetjet e prokurorit Engel. Gjatë kohës kur ky i fundit e ka pyetur disa herë të akuzuarin nëse ka pasur ndonjë konspiracion mes Arben Sylejmanit, Besim Shabanit dhe Xhemshir Beqirajt, Sinani është përgjigjur me fjalët “Nuk jam analist i konspiracionit, nuk muj me ditë. Turp është me më ba mu këso pyetje”. Në këtë rast, gjyqtari Bojarchuk reagon duke thënë se për vlerësimin e cilësisë së pyetjeve të bëra nga prokurori vendos vet trupi gjykues.
Gjatë dhënies së deklaratës së tij, i akuzuari Sinani është pyetur përsëri lidhur me takimin e tij me anëtarët e familjes Sylejmani, në këtë rast me të lartpërmendurit Arben Sylejmani dhe Xhemshir Beqiraj. Madje i njëjti ka bërë të ditur edhe një herë detajet nga takimi i tij me Xhemshir Beqiraj dhe Besim Shabanin në lokalin e quajtur “Euromiti”. Mirëpo, pasi prokurori e ballafaqon atë me një pjesë të deklaratës së dhënë në vitin 2013 lidhur me këtë rast, i njejti thotë se nga ai moment nuk dëshiron të përgjigjet më në asnjë pyetje. Kjo pasi sipas Sinanit, prokurori vazhdimisht po bën pyetje të njejta por në variante të ndryshme, e për të cilat është përgjigjur disa herë. Prokurori Engel është kundërpërgjigjur me fjalët “Mund ta mbash gjuhën, por unë do të vazhdoj të parashtroj pyetje”. Mirëpo, kryetari i trupit gjykues e refuzon vendimin e të akuzuarit Sinani për të mos u përgjigjur, pasi sipas tij ndërrimi i strategjisë në këtë fazë është i papranueshëm.
Megjithatë, për shkak të përfundimit të orarit të punës në Gjykatën Themelore në Prishtinës, është ndërprerë marrja në pyetje e të akuzuarit Menderes Sinani.
Para se të gjithë të largoheshin nga salla, avokati Aziz Rexha, parashtroi përsëri kërkesë më shkrim për heqjen e masës së arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij Menderes Sinani. “Qëndrimi që 3 vjet nën masa të sigurisë, konsideroj se është dënim i vërtetë. Jo paraburgim, po dënim apriori para kohe”, tha ai. Sipas tij, kjo kërkesë bazohet në nenin 185 të Kodit të Procedurës Penale, përkatësisht paragrafi 3, ku thuhet se “Paraburgimi hiqet dhe i paraburgosuri lirohet në çdo fazë të procedurës posa të pushojnë shkaqet e caktimit të tij”. Këtë kërkesë e kundërshtuan prokurori Drew Engel, i dëmtuari Bidajet Sylejmani dhe mbrojtësi i tij, avokati Bekim Sylejmani. Mirëpo, vendimi lidhur me këtë çështje do të merret pasi kërkesa të shyqrtohet nga anëtarët e trupit gjykues, për të cilën gjë palët do të njoftohen me shkrim.
Seanca e rradhës u caktua të mbahet më 2 gusht 2016, në ora 09:30.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin, ish-togerin Menderes Sinani për veprat penale penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, ”moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Në këtë proces gjyqësor, të akuzuar janë edhe 6 persona tjerë: Besim Shabani, Burim Veseli, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Vahid Tahiri.