Avokati i të akuzuarit për narkotikë kërkon pafajësinë në Apel, thotë se klientit të tij i ishin ofruar 200 mijë euro për të pranuar fajësinë

Lavdim Bajraktari - Rasti Ilmi Osmani - 10.10.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Plotë 200 mijë euro i ishin ofruar të akuzuarit për narkotikë, Ilmi Osmani, sipas avokatit të tij, Tahir Rrecaj, në mënyrë që i akuzuari Osmani të pranojë fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.

Një deklarim të tillë, avokati Rrecaj e dha në seancën e së mërkurës në Gjykatën e Apelit, ku u shqyrtua ankesa e mbrojtjes së ushtruar ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin Osmani ishte shpallur fajtor për vepra penale që lidhen me narkotikë.

Një shumë e tillë, Rrecaj tha se i ishte ofruar të mbrojturit të tij, përmes avokatit Nikë Shala, gjatë kohës sa i akuzuari kishte qenë në paraburgim.

Për këtë arsye, Rrecaj tha se kishte kërkuar nga ana e prokurorisë që të kryente hetime ndaj një personi të quajtur Florim Osmani i cili edhe e kishte autorizuar avokatin Shala, si avokat mbrojtës të të akuzuarit Ilmi Osmani.

“Kam kërkuar që të hapet hetim ndaj Florim Osmanit, i cili përkundër mbiemrit të njëjtë, me të akuzuarin nuk ka asnjë lidhje, mirëpo i njëjti ka shku dhe e ka autorizu, Nikë Shalën si avokat të Ilmi osmanit.  Nikë Shala, sipas Ilmisë, i ka ofru shuma deri me 200 mije euro për me pranu fajësinë”, deklaroi avokati Rrecaj.

Po ashtu, Rrecaj tha se, gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë, kishte propozuar që si dëshmitar të dëgjoheshin edhe Florim Osmani dhe avokati Shala, mirëpo, siç tha Rrecaj, një propozim i tillë i ishte refuzuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në korrik të këtij viti, të akuzuarin Osmani e kishte shpallur fajtor për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja, dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”.

Të njëjtit, shkalla e parë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vite e gjashtë muaj burgim dhe 3000 euro gjobë.

Në këtë dënim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 30 marsi 2017 deri më 1 shkurt 2018.

Po ashtu, të akuzuarit i ishte konfiskuar kamioni të cilin ishte duke e vozitur, telefoni, para dhe narkotiku në fjalë.

Mirëpo, sipas avokatit Rrecaj, krejt ky rast ka qenë i montuar ndaj të mbrojturit të tij, i cili sipas Rrecajt, nuk ka pas të bëjë asgjë me narkotikun i cili i ishte gjetur në kamionin të cilin po e voziste.

“Është fakt që Ilmi Osmani është viktimë e një rasti të montuar. Milaim Rushiti ka pranuar fajësinë dhe as ai e as mbrojtësi i tij nuk kanë mundur t’i kundërshtojnë ato që kemi thënë ne për Ilminë”, tha Rrecaj.

Tutje, Rrecaj bëri edhe një përshkrim të asaj që kishte ndodhur në ditën kritike.

“Ilmia kamionin e ka lon në depo te Milaimi. Në ditën kritike, Ilmiu ka tentu ti heq disa dërrasa që kanë qenë në dyshemenë e kamionit se nuk kane qenë të nevojshme për transport të mallit që kishte pasur atë ditë. Milaimi ka thon lej se s’pengojnë kurrgjo, tani Ilmia ka shku ne shtëpi. Kur u kthy e ka gjet kamionin e gatshëm dhe kur ka shku ne kufi,  pikërisht nën ato dërrasa që Ilmia ka deshtë ti heq, është gjet droga”, tha Rrecaj.

Po ashtu, Rrecaj, përmendi edhe një bisedë telefonike mes të akuzuarit tjetër në këtë rast, Erdogan Zeqiri, i cili gjendet në arrati, me bashkëshorten e tij, e ku sipas Rrecajt, Erdogani thotë se i akuzuari Ilmi nuk ka të bëj asgjë me këtë punë.

Tutje, në ankesën e avokatit Rrecaj, thuhet se aktgjykimi i ankimuar, në arsyetimin e tij nuk ka paraqitur arsye për çdo pikë të aktgjykimi dhe nuk janë cekur se me cilat transkripte është vërtetuar kryerja e veprës penale. Po ashtu, në ankesë thuhet se shkalla e parë nuk ka vërtetuar bashkëkryerjen siç nuk ka vërtetuar po ashtu ekzistimin e dashjes tek i akuzuari.

Duke u bazuar në të gjitha këto, Rrecaj tha se i akuzuari është viktimë në këtë rast, andaj, kolegjit të Apelit, i propozojë që në mungesë të provave ta lirojë nga akuza apo që rasti të kthehet në rigjykim.

E nëse ndodh që rasti të kthehet në rigjykim, Rrecaj kërkojë nga kolegji i Apelit që ta bëj edhe ndërrimin e trupit gjykues në shkallë të parë.

E kur i erdhi radha të akuzuarit Osmani të deklarohet, ky i fundit tha se gjashtë muaj para se të ndodhte ngjarja kishte pasur një konflikt me një komandant të UCK-së, mirëpo, këtë deklarim të tij, Osmani nuk mundi ta përfundojë pasi që avokati i tij dhe kolegji i Apeli i thanë se ky nuk është shqyrtim gjyqësor si në shkallë të parë dhe i njëjti duhet vetëm të bazohet në ankesë.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit, që të refuzon ankesën e mbrojtjes kurse aktgjykimin e shkallës së parë ta vërteton.

Ndryshe, në këtë çështje penale, i akuzuar kishte qenë edhe Milaim Rushiti, mirëpo, rasti ndaj tij ka përfunduar pasi që i njëjti kishte pranuar fajësinë. Kurse, dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Erdogan Zeqiri dhe Enver Hazari gjenden në arrati.

Sipas aktakuzës, Osmani pa autorizim me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje në bashkëkryerje me Milaim Rushitin, pas marrëveshjes paraprake me të akuzuarit Erdogan Zeqiri dhe Enver Haziri, kanë transportuar narkotiku të llojit mariuhanë, ashtu që, më 30 mars 2017, nga depoja ndertimore “Buki”, pronë e Milaim Rushitit, pasi që narkotikun e kishin fshehur në dyshemenë e një kamioni, i akuzuari Osmani ishte nisur në drejtim të pikës kufitare në Merdare.

Më të mbërritur në Merdare, vazhdon aktakuza, pasi që policia paraprakisht përmes masave të fshehta të vëzhgimit dhe përgjimit kishte përcjell të akuzuarit, e kishin ndaluar kamionin të cilin e voziste i akuzuari Osmani, ku me rastin e kontrollit tek i njëjti kishin gjetur katër çanta sportive të zeza, me 17 paketime mariuhanë.

Pas ekzaminimit të narkotikut të gjetur, sipas prokurorisë, kishte rezultuar se bëhet fjalë për mariuhanë në peshë prej 31.634 kg.