Avokati i Popullit padit ZRRE, kërkon kompensimin e qytetarëve për energjinë elektrike të paguar për komunat veriore

dfgsgf (2)
Author

Raporton: Gzime HASHANI dhe Elsa Kollqaku

Dhjetor 23, 2020

Prishtinë – Të mërkurën Departamenti për Çështje Administrative ka shqyrtuar padinë e Avokatit të Popullit, me të cilën ky i fundit ka kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

ZRrE përmes vendimit të nxjerr më 2012, faturonte qytetarët e Republikës së Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar nga qytetarët e katër komunave veriore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance përfaqësuesja e paditëses, Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike, Suzana Gash deklaroi se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë.

Gashi tha se Avokati i Popullit mbron interesat e përgjithshme të palëve dhe se në rastin konkret qytetarët e Republikës së Kosovës janë faturuar në mënyrë të kundërligjshme, për katër komunat veriore të Kosovës.

Gjatë kësaj seance asaj iu dorëzuar përgjigja në padi, mirëpo e njëjta tha se nuk mund të deklarohet mbi pretendimet e palës së paditur, pasi që përgjigja është voluminoze dhe i duhet ta lexoj detaisht. “Nuk jam në gjendje me u deklaru tash pa e lexu përgjigjen në padi”.

Gashi pati vërejtje lidhur me mos pranimin me kohë të përgjigjes në padi, pasi që kjo e vë në  pyetje barazinë e armëve gjatë një procesi gjyqësor.

Përfaqësuesja e Avokatit të Popullit bëri precizimin e padisë, ashtu që tani e tutje nuk kërkon nga ZRrE kompensimin e qytetarëve për faturimin e energjisë elektrike për komunat veriore, mirëpo kërkon nga Gjykata ta obligoj ZRrE-në që të obligoj KEDS- in, që t’i kompensoj për energjinë elektrike të faturuar.

Pasi që gjykatësi i çështjes kërkoi nga pala paditëse të deklarohet lidhur me shumën e kompensimit që ata kërkojnë, përfaqësuesja deklaroi se shuma nuk dihet, për shkak të mos transparencës së ZRrE.

“Pikërisht për shkak të mos transparencës së ZRrE se si janë faturuar qytetarët, ne nuk e dimë se cila është shumë, pasi që nuk e dimë mënyrën se si qytetarët janë faturuar” ajo shtoi se do të duhej të nxirret ekspertizë, por që lidhur me këtë do t’i drejtohet gjykatës përmes parashtresës për precizimin e padisë.

Përfaqësuesi i palës së paditur, Ymerdin Misini deklaroi se e kontestojnë në tërësi padinë e paditësit.

“ZRrE e konteston në tërësi padinë e paditësit dhe i mohon të gjitha faktet e paditësit në padi,  vlen të theksohet se vendimi i bordit të ZRrE, ka përcaktuar parametra rregullativ në përputhje me mandatin dhe legjislacionin në fuqi”, shtoi përfaqësuesi.

Misini tha se qëllimi i këtij vendimi ka qenë reflektimi i vlerave të përafërta që konsiderohen të arsyeshme për llogaritjen e të hyrave maksimale të lejuara  në pajtim me konkluzionet dhe komentet e pranuara nga palët e interesit.

“Bordi i ZRrE ka konsideruar se vlerat e përcaktuara nga rregullatori paraqesin lëvizje të kërkesave të palëve të interesit duke respektuar në të njëjtën kohë edhe vlerat indikativë të vendosura më parë nga ZRrE”, tha përfaqësuese.

Sipas tij, vërtetohet fakti se vendimi i atakuar është nxjerr në pajtim të plotë me dispozitat ligjore të ligjit të rregullatorit të asaj kohe.

“Gjykata e shkallës së parë si gjykatë kompetente e çështjeve administrative, me rastin e shqyrtimit të kësaj çështje juridiko – administrative duhet të merr për bazë edhe kohën e nxjerrjes së këtij vendimi pasi që konsiderojmë se koha dhe afati i atakimit të këtij vendimi ka tejkaluar të gjitha afatet ligjore, për faktin se ky vendim ka përfshirë periudhën pesë vjeçare të rregullimit” shtoi Misini.

Sipas përfaqësuesit me rëndësi janë edhe pretendimet e paditësit për sa i përket pasurimit të pabazë të furnizuesit të autorizuar, në të cilin paraqesin faktet ligjore dhe teknike, ZRrE ka vlerësuar se është i pabazuar pretendimi lidhur me pasurimin e pabazë.

Sipas tij nuk ka fare të bëj me pasurim të pabazë po të drejtë morale dhe natyrale, pasi që energjia është shpërndarë dhe konsumuar nga i licencuari dhe po ashtu nuk mund të kërkohet kthimi i asaj që është dhënë.

“Vlen të theksohet se Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ZRrE dhe KEDS të gjej një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit duke i trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjit” tha ai.

Ai shtoi se ZRrE, më 30. 11. 2017 pas pranimit të vendimit të Apelit, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, deri në shqyrtimin e kërkesëpadisë në çështje meritore brenda afatit të rregullt ligjorë ka lëshuar njoftim me të cilin ka njoftuar të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, shtyerja e ekzekutimit të këtij vendimi është çështje specifike dhe kërkon rishikim të vendimeve tarifore, prej datës së nxjerrjes së vendimeve të gjykatës, po ashtu ka udhëzuar të licencuarit që të zbatojnë tarifat me pakicë pas përshtatjes së detyrave maksimale të mbështetura në vendim të gjykatës, deri në një vendim që pritet të merret nga bordi i ZRrE.

Po ashtu thuhet se ZRrE pasi që është organ administrativ nuk mund të obligohet që të ndërmarr veprime që të kompensoj konsumatorët për shpenzimin e energjisë elektrike, ZRrE konsideron se kërkesa e tillë është e papranueshme dhe e njëjta duhet të hedhet poshtë si e palejueshme. Kjo me arsyetimin se ZRrE, ka funksion vetëm rregullativ lidhur me operimin e të licencuarve për gjenerim, distribuim dhe transportim të energjisë elektrike.

Ai tha se çështja e humbjeve në veri është duke u trajtuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Ai i kërkoi nga gjykata që të vërtetoj drejt gjendjen faktike pasi që vendimi i atakuar nga paditësi ka të bëj me caktimin e parametrave rregullativ.

Lidhur me pretendimet e palës së paditur, pala paditëse përfaqësuar nga Suzana Gashi deklaroi se obligimi i qytetarëve për të paguar energjinë elektrike të shpenzuar në veri, nuk ka mbështetje në ligj.

Sipas saj, faturimi i qytetarëve është bënë në mënyrë të kundërligjshme.

Lidhur me këto deklarime përfaqësuesi tjetër i ZRrE, Gani Buqaj, deklaroi se terminologjia e termit humbje buron nga ligji për energjinë elektrike, ku thuhet se gjatë miratimit apo caktimit të tarifave do të siguroj që të licencuarve t’u mundësohet kthimi i të gjitha kostove të arsyeshme duke përfshirë kostot e niveleve të arsyeshme të energjisë  në sistemin e transmetimit dhe shpërndarjes.

Përsëri pati replikë nga përfaqësuesja e Avokatit të Popullit e cila tha se ZRrE po e vërteton se qytetarët e Kosovës kanë paguar rrymë për komunat e veriore.

“Avokati i Popullit është mbrojtës i interesit publik, nuk është se nuk ka pasur njohuri për vështirësitë e faturimit në veri, mirëpo ZRrE sapo e vërtetoi këtë që ka thënë Avokati i Popullit, nuk ka mujt me u faturu rryma në veri, hajde ti marrim ti faturojmë të qytetarët tjerë të Kosovës” tha ajo.

Gjykata konstatoi se seanca përfundoi dhe seanca e radhës u caktua për datën 21 janar 2021, me fillim nga ora 9:30.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 15 gusht 2017, Avokati i Popullit ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të anuloj vendimin e ZRrE-së,

ZRrE përmes vendimit të nxjerr më 2012, faturonte qytetarët e Republikës së Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar nga qytetarët e katër komunave veriore.

Në padi thuhet se vlera e energjisë elektrike të pa faturuar në veri të vendit kishte qenë 8 milion euro, dhe se ZRrE për mbulimin e kostos së humbjeve, duke përfshirë edhe 8 milionshin në veri i ka faturuar konsumatorëve në gjithë Republikën e Kosovës.

Përkundër se Avokati i Popullit ka kërkuar ndaljen e këtyre praktikave të kundërligjshme për faturimin  e energjisë elektrike të shpenzuar në veri, tek qytetaret tjerë të Kosovës, në padi thuhet se ZRrE nuk ka ndërmarr ndonjë veprim.

Për Këtë arsye, Avokati i Popullit, me qëllim të mbrojtjes së interesave publike i është drejtuar me padi gjykatës me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.

Ajo ka propozuar në padi, që përmes ekspertizës të caktohet vlera që qytetarët kanë paguar në emër të faturave për katër komunat veriore, kjo për faktin se as nga ZRrE nuk janë në dijeni për sasinë monetare që është shpërndarë në fatura.

Përmes padisë, Avokati i Popullit ka kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe kompensimin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për energjinë elektrike të faturuar e cila është shpenzuar nga qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës. /BetimipërDrejtësi