Avokati i Pal Lekajt jashtë vendit, shtyhet seanca në Apel ndaj tij, ministres Haxhiu e të tjerëve për gazin lotsjellës në Kuvend

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë- Për shkak se avokati i deputetit Pal Lekaj, Arianit Koci gjendet jashtë vendi, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën e Apelit në rastin ndaj Lekajt, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputeteve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i turpit gjykues, Xhevdet Abazi bëri të ditur se bashkëpunëtorja ligjore Albina Vuçetaj, në emër të shoqërisë së avokatëve “Koci dhe Vokshi” ka kërkuar shtyrjen e seancës në emër të Pal Lekajt, me parashtresën e 10 qershorit 2022, me arsyetimin se avokati Koci gjendet jashtë vendit për datën e caktuar për seancë.

Ndryshe, e pranishme në seancë ka qenë vetëm ministrja Albulena Haxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këto rrethana, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Abazi, me anëtarë Tomislav Petroviq dhe Afërdita Bytyqi, mori vendim që seanca ku do të shqyrtohej ankesa e Prokurorisë lidhur me vendimin e Themelores, të shtyhet për datë të pacaktuar.

Lidhur me seancën e radhës, gjykatësi Abazi bëri të ditur se palët do të ftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, të cilët akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzoheshin se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë