Avokati i paditësit me simptoma të  Covid-19, shtyhet gjykimi për vërtetim pronësie

Raporton: Alban MEHMETAJ

Istog – Për shkak të mungesës së të autorizuarit të paditësit – kundër të paditurit Milazim Metaj, është shtyrë seanca në kontestin juridiko-civil ku i lartcekuri po kërkon vërtetim pronësie nga të paditurit-kundër paditësit Besim, Ramiz, Gëzim, Burim dhe Sofa Metaj.

Gjykatësi Shemsedin Haxhijaj ka deklaruar, se i autorizuari i të paditësit–kundër të paditurit, përmes telefonit ka njoftuar administratën e gjykatës se ka bërë testin për virus Covid-19 për shkak që i njëjti ka pas simptomat e Covid-19.

Në këto rrethana seanca është shtyrë, dhe e radhës është caktuar të mbahet më 2 mars 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 06 shtator 2012, paditësi Milazim Metaj po kërkon nga gjykata që të obligohen të paditurit Besim, Ramiz, Gëzim, Burim dhe Sofa Metaj t’i njohin të drejtën e pronësisë në bazë të shitblerjes.

Paditësi pretendon që nga i padituri Besim Metaj si pronar faktik i ngastrës kadastrale me numër 00489 në sipërfaqe prej 4226 metra katrorë, Zona Kadastrale Kaliqan, e kishte blerë me çmim kontraktues prej 10,750.00.

Sipas padisë, paditësi me të paditurin e parë Besim Metaj kishin rënë dakord që pas përfundimit të procedurës trashëgimore ndërmjet të paditurve, të lidhin kontratën e shitblerjes për ngastrën në fjalë.

Ndërkaq, më 2 korrik 2021, të paditurit kundër – paditësit Shefqet, Kadri, Besim, Ramiz, Gëzim, dhe Burim Metaj kanë paraqitur padi kundrejt kundër-të paditurit Milazim Metaj, duke kërkuar nga ana e gjykatës që të refuzohet padia e tij për vërtetim pronësie nga baza e shitblerjes./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë