Avokati i njërit të akuzuar jashtë vendit, shtyhet gjykimi për vrasje të rëndë e vepra të tjera penale

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Shqyrtimi gjyqësor i paraparë të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë u shty për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje, Leotrim Selimi, avokati Naser Sopjani, e kishte njoftuar gjykatën se është jashtë vendit dhe nuk mund të jetë i pranishëm.

Në këtë rast, Leotrim Selimi ngarkohet për vrasje të rëndë të M.K dhe plagosje të B.H si dhe ngarkohet për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Bejtë Hasani po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, pasi sipas aktakuzës, me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj F.S, e të cilën nuk e kishte përfunduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq tha se para disa ditëve i ka njoftuar të gjitha palët për shtyerjen e shqyrtimit të sotëm gjyqësor.

Seanca e rradhës pritet të mbahet më 9 nëntor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 tetor 2021 kishte ngritur aktakuzë kundër Leotrim Selimit, Bejtë Hasanit, Valon Ibishit dhe Valmir Selimit.

Të akuzuarit Valon Ibishi dhe Valmir Selimi më 17 nëntor 2021 janë dënuar me nga 700 euro gjobë dhe me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajsh (secili veç e veç), pasi pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Ndërsa, i akuzuari për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Leotrim Selimi dhe i akuzuari tjetër, Bejtë Hasani, për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, në atë seancë e pranuan fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, andaj gjykata refuzoi këtë pranim fajësie dhe ndaj tyre është veçuar procedura.

Kështu, sipas pikës I.1 të aktakuzës, Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin M.K, ku pas një mosmarrëveshje rreth punëtorëve me pronarin e “Proper Pizza”, A.B, vjen deri te konflikti mes grupit të “Maestros”, Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, dhe grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi kishte nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava, model 57, cal. 7.62 x 25 mm, dhe kishte shtënë në viktimën dhe godet në pjesën e përparme të djathtë të kraharorit e si rezultat i plagëve të marra vdes.

Tutje në aktakuzë thuhet se predhat e goditin edhe B.H, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1 pika 1.5 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

Ndërsa, në pikën I.2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Leotrim Selimi më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava”, M 57, me nr. serik C-210485, kalibrit 7.62 x 25 mm, me një karikator, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas pikës II.1 të aktakuzës, Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj F.S, e të cilën nuk e ka përfunduar.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas fjalosjes mes grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili e M.K, dhe grupit të “Maestros” Leotrim Selimi, Bejtë Hasani, Valmir Ibishi, Liridon Selimi, Labinot Selimi, rreth punëtorëve, nxjerrë pistoletën e markës “Crvena Zastava”, model 70, kalibrit 7.65 x 17 mm, dhe shtënë në drejtim të grupit të “Proper Pizza”, me këtë rast e godet F.S dhe i shkakton dëmtime të rënda trupore, si dhe vë në rrezik jetën e personave të grupit të “Proper Pizza”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, par. 1, pika 1.5 e lidhur me nenin 28 të KPRK.

Ndërsa, sipas pikës II. 2 të aktakuzës, i pandehuri Bejtë Hasani më 12 shkurt 2021 në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës “Crvena Zastava” M-70, kalibrit 7.62 x 17 mm, e cila i është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK, e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 dhe 2 të dispozitivit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën III. 1 thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, ka poseduar pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, model 33, kalibrit 7.62 x 25 mm, me nr. serik MT 253146, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK.

Ndërsa, në pikën III. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valon Ibishi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese pistoletën e prodhuesit “Tulla Tukarev”, model 33, kalibrit 7.62 x 25 mm, me nr. Serik MT 253146, duke e nxjerrë gjatë konfliktit mes grupeve dhe drejtuar M.K., Mentor Beqirit, Florim Sadikut dhe Behar Halilit.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën III/1.

Ndërsa, në pikën e fundit IV.1 të aktakuzës, i pandehuri Valmir Selimi po akuzohet se më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët ka poseduar pistoletën e markës gjysmëautomatike ‘Eibar Star” model “B” kalibrit 9 x 9 mm, me nr. serik 42392, prodhim spanjoll, me një karikator, dhe tre fishekë të kalibrit 7.62 x 25 mm, e cila është sekuestruar nga policia.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK

Ndërsa, në pikën IV. 2 të aktakuzës thuhet se i pandehuri Valmir Selimi më 12 shkurt 2021, në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora” në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm mbi armët ka përdorur në mënyrë kërcënuese ndaj grupit të “Proper Pizza”, Mentor Beqiri, Florim Sadiku, Behar Halili, e M.K. pistoletën e markës “Eibar Star” model “B”, kalibrit 9 x 9 mm, me nr. serik 42392, duke e nxjerrë dhe repetitë para lokalit.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, par. 1 të Kodit Penal, e në bashkim real me veprën penale nën pikën IV/1 të dispozitivit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë