Avokati i Enver Hasanit: Në asnjë presje nuk kam gjetur veprim antiligjor të të mbrojturit tim

Raporton: Diana Berisha

Prishtinë – Përfaqësuesi i të akuzuarit Enver Hasani, avokati Bajram Tmava në seancën e së martës bëri të ditur se vendimin të cilin e kishte marrë Hasani në kohën kur ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës është vendosur në frymën e Kushtetutës së Kosovës si dhe ligjeve në fuqi. Bazuar në këtë vendim Tmava tha se në asnjë presje nuk ka gjetur veprim antiligjor të Hasanit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngarkon Hasanin me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Më saktësisht, Hasani akuzohet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë. Sipas kësaj aktakuze, në kohën kur ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Hasani kishte shënuar emrin e gjyqtarit Robert Carolan edhe pse ky i fundit nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

Sipas Tmavës kundërshtimin për hudhjen e aktakuzës së bashku me të akuzuarin Hasani e kanë paraqitur në dy baza, në faktin e imunitetit funksional tani të dyshuarit Hasani dhe në imunitetin diplomatik të dëshmitarit kyç në këtë çështje gjyqtarit Robert Carolan. Ai shtoi se çështja e imunitetit funksional nuk është zgjidhur sipas dispozitave ligjore, gjë kjo e cila mund të vërtetohet edhe nga shkresat e misionit të Eulex – it. Poashtu Tmava deklaroi se nuk është çështje e Prokurorisë Speciale të vlerësoj imunitetin dhe se ky imunitet mund të vlerësohet vetëm nga organi i cili e ka mvesh të njëjtin. Tutje Tmava deklaroi se imuniteti i gjyqtarit Carolan mund të hiqet vetëm nga Kombet e Bashkuara e që një vendim të tillë nuk ekziston në dosjet e lëndës.

“Që të jetë edhe më keq e që është në interes dhe të mirën e të mbrojturit tim, gjyqtari në fjalë jep dorëheqje për arsyeje që tani gjykata i ka të njohura, për arsyeje se e ka mashtruar misionin kur e ka kry detyrën, ndërsa tani përveç imunitetit diplomatik paraqitet çështja substanciale se a mundet Gjykata tani të ja fal besimin e dëshmisë së tij me të gjitha këto elemente” tha Tmava.

Prokurori i çështjes Abdurrahim Islami tha se kundërshtimi ka arritur në afatin e paraparë ligjor dhe se ka pasur afat të mjaftueshëm për përgatitjen lidhur me të njëjtin kundërshtim. Ai bëri të ditur se Prokuroria nuk e ka kontestuar çështjen e imunitetit funksional dhe se në këtë rast kjo çështje është e rregulluar në mënyrë të plotë me nenin e 17-të të Kushtetutës së Republikës së Kosovës poashtu edhe me dispozitat dhe nenet e veçanta të Konventës së Vjenës. Islami tha se në këtë rast Prokuroria konsideron se të gjitha këto veprime të cilat janë marrë nga ana e të akuzuarit Hasani, nuk janë marrë në kuadër të fushëveprimit edhe pse përfshihen vendime të marra gjatë ushtrimit të detyrës. Mirëpo sipas Islamit këto vendime janë në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Islami tha se Prokuroria pajtohet në shumë pjesë të kundërshtimit të dhënë nga ana e mbrojtjes. Sipas tij nënshkrimi i ish Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Hasanit është një akt ceremonial respektivisht simbol i vendimit kolektiv të Gjykatës, mirëpo në rastin konkret këto veprime nuk rezultojnë se kanë qenë në kuadër të fushëveprimit të tij. Andaj sipas Islamit në këtë çështje me të drejtë është ngritur akti akuzues ngase vendimi është marrë me shkelje të ligjit e që në këtë rast i akuzuari Hasani ka kryer veprat penale të Keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe Falsifikimin e dokumentit zyrtar.

Gjithashtu Islami tha se konsideron se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka qenë e vetmja kompetencë për të vepruar në këtë rast dhe se në asnjë moment nuk ka pasur nevojë që kjo çështje të ngritët para ndonjë organi tjetër. Sipas Islamit kryetari i Gjykatës Kushtetuese i ka kompetencat që të vendos për imunitetin funksional ashtu siç është e rregulluar edhe me nenin 84 pika 9 të kushtetutës.

Nga të gjitha këto Islami tha se Prokuroria konsideron se të gjitha provat në bazë të të cilave është ngritur akti akuzues janë marrë konform dispozitave të Kodit Penal në fuqi dhe si të tilla janë plotësisht të ligjshme. Poashtu prokurori i çështjes tha se deklarata e e dëshmitarit Carolan paraqet një prove të pranueshme dhe se në këtë rast nuk ekziston asnjë rrethanë e cila do ta përjashtonte përgjegjësinë penale të të akuzuarit.

Në fund të procesit gjyqësor kryetari i vetëm i trupit gjykues Shashivar Hoti tha se elaborimi rreth kundërshtimeve të palëve është dhënë në mënyre të mjaftueshme dhe se brenda afatit ligjor do të marrë vendim në formë të shkruar.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë