Avokati i angazhuar në rastin “Toka”, dështon seanca e Apelit për vrasjen në “Bon Vivant”

Lavdim Bajraktari - Rasti Bon Vivant - 11.09.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shtator 11, 2019

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit, lidhur me rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, vrasje për të cilën, i akuzuari Masar Gërdovci ishte dënuar me 21 vjet e tetë muaj burg.

Në këtë rast, për pjesëmarrje në rrahje ishte dënuar i akuzuari tjetër, Sherif Krasniqi, të cilit, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet e tre muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për mos mbajtjen e seancës të së mërkurës, ku pritej të shqyrtoheshin ankesat e palëve kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ishte kërkesa për shtyrje që e kishte bërë mbrojtësi i Gërdovcit, avokati Besnik Berisha.

Siç tha gjykatësi raportues për këtë rast, Abdullah Ahmeti, avokati Berisha përmes një parashtrese drejtuar Apelit, kishte kërkuar shtyrjen e seancës për një ditë tjetër, me arsyetimin se gjatë së mërkurës, ishte i angazhuar në seancën e rastit “Toka”, e cila po mbahet në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Këtë kërkesë të avokatit Berisha, gjykatësi Ahmeti tha se e kishin aprovuar, mirëpo për seancën tjetër tha se do të mbahet pavarësisht nëse vijnë avokatët apo dhe nëse është nevoja do të caktojnë avokat tjetër për të akuzuarin.

Ndryshe, prezent në seancë ishte i akuzuari tjetër, Sherif Krasniqi, bashkë me mbrojtësin e tij, avokatin Haxhi Millaku, si dhe familjar të tani të ndjerit Rrahman Uka, ndërsa i akuzuari Gërdovci nuk ishte sjellë nga paraburgimi, pasi që ishte njoftuar paraprakisht se seanca e së mërkurës nuk do të mbahet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2019, Masar Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që e kishte shpallur fajtor për vrasjen që kishte ndodhur më 13 tetor të vitit 2014, në “Bon Vivant” në Prishtinë, e ku ishte mbetur i vdekur roja i lokalit, Rrahman Uka.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Sherif Krasniqi, ishte dënuar me katër vjet e tre muaj, pasi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, Krasniqi ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi që nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

I akuzuari Masar Gërdovci, për veprën penale të vrasjes së rëndë, ishte dënuar me 21 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me një vit burgim, derisa më pas ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik prej 21 vjet e 8 muaj burgim.

Atij i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Sherif Krasniqi i ishte ndërprerë një masë e tillë.

Aktgjykimi ndaj tyre ishte shpallur nga gjykatësja Suzana Çerkini.

Ndërsa, lidhur me armën e përdorur në këtë rast, gjykata kishte marrë vendim që e njëjta të konfiskohet, ndonëse në seancën paraprake, gjykatësja Çerkini, kishte deklaruar se përmes raportit nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë, është shkatërruar, pas konstatimit se ajo nuk ka pasur përputhshmëri me rastet e hapura në laboratorin e armëve të zjarrit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plag Masa Gërdovci dhe Sherif Krasniqi. /BetimipërDrejtësi