Avokati i angazhuar në Divizionin Penal, dështon gjykimi për vërtetim pronësie

Author

Raporton: Blinerë BEKA

Shtator 13, 2021

Prishtinë – Për shkak të mungesës së të autorizuarit të paditëses, Menor Neziri, i cili ka qenë i angazhuar në një çështje me paraburgim në Divizionin Penal, ka dështuar gjykimi në rastin ku Dinore Sherifi po kërkon vërtetim pronësie nga Komuna e Prishtinës.

Përmes parashtresës së dorëzuar më 13 shtator, Neziri ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance.

I pranishëm gjatë kësaj seance ishte përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Arbër Istrefi, ndërsas në këto rrethana, gjykatësi i rastit, Dardan Kadolli e ka shtyrë seancën për 12 tetor 2021.

Sipas padisë së ushtruar në dhjetor të 2012-ës, Dinore Sherifi ka paditur Komunën e Prishtinës për vërtetimin e pronësisë në banesën e cila gjendet në Prishtinë, në lagjen “Vranjevc”.

Në bazë të padisë, banesën në fjalë, fillimisht e ka poseduar dhe e ka shfrytëzuar nëna e paditëses, e me rastin e vdekjes së saj, shfrytëzimin dhe posedimin e kësaj banese e ka ushtruar paditësja Sherifi.

Po ashtu, thuhet se gjatë kohës kur nëna e paditëses e ka shfrytëzuar këtë banesë, nuk ka pasur asnjë lloj veprimi nga Komuna e Prishtinës që t’ia pamundësojë apo vështirësojë asaj shfrytëzimin e banesës.

Ndërkaq, në padi gjithashtu thuhet se paditësja qysh nga koha kur e ka marrë pëlqimin nga e paditura, pasi i është dhënë në shfrytëzim banesa, ajo i ka kryer me rregull të gjitha obligimet e pagesës së banesës.

Paditësja Sherifi, sipas padisë, po kërkon që e paditura Komuna e Prishtinës t’ia pranojë të drejtat dhe t’i lejojë regjistrimin në regjistrat përkatëse publike.  /BetimipërDrejtësi