Avokati Besnik Berisha: Kemi prova se edhe NATO dhe KFOR-i kanë thënë të njëjtat fjalë për Ramush Haradinajn

Ramushi-620x275
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Tetor 10, 2018

Pejë – Përfaqësuesi i kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, avokati Besnik Berisha, ka deklaruar se edhe NATO dhe KFOR-i, i kanë thënë të njëjtat fjalë për kryeministrin aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj, siç janë thënë në artikullin e gazetës austriake “Der Standard”.

E pikërisht lidhur me këtë artikull, Haradinaj në vitin 2015, kishte ushtruar padi ndaj Muhaxherit, me pretendimet se kryetari i Pejës, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, kishte thënë se Haradinaj po bënë para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit.

Avokati Berisha, që përfaqëson palën e paditur, në këtë rast kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, një deklaratë të tillë e ka dhënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Pejë, ku ka vazhduar procesi gjyqësor lidhur me këtë padi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se para se Muhaxheri të jepte intervistën për gazetën austriake, një artikull që bazohej në shërbimin intelegjent të NATO-s, ishte publikuar në gazetën “Koha Ditore”, e ku sipas tij, Haradinaj përshkruhej “si njëri prej politikanëve të dhunshëm në Kosovë”.

Berisha ka thënë se nëse ua mundëson gjykata, këta artikuj, do t’i sjell si prova për në seancën e ardhshme.

“Ne propozojmë që gjykata të na mundësoj që në seancën e radhës t’i dorëzojmë provat që u cituan më lartë, respektivisht artikujt e botuar dhe të pakontestuar nga z.Haradinaj në gazetën ‘Koha Ditore’, në maj të vitit 2014, të cilat përmbajnë ekzaktisht tekstin e njëjtë me atë që shkruan ‘De Standard’, e që paditësi pretendon se i është prekur reputacioni, identiteti dhe është shpifur ndaj tij. Madje, me këta artikuj të pa kontestuar nga z. Haradinaj dhe përfaqësuesi i tij do të vërtetojmë se aty flitet edhe për shumë çka tjetër, që e bën zotin Haradinaj sipas artikullit të përfshirë në lidhje me biznismenë kontrovers të Republikës së Kosovës”, ka thënë avokati Berisha.

Por, përfaqësuesi i Ramush Haradinajt, avokati Arianit Koci, ka kërkuar nga gjykata që të mos lejoi që fjalime të tillë të bëhen në seancë, pasi sipas tij, ngjasojnë si politike.

“Sa herë tentohet të mjegullohet opinioni këta individ tentohen të thirren në burime të inteligjencës, KFOR-i dhe NATO nuk ka thënë atë, dhe nëse dëshironi t’i nxirrni ato prova duhet t’i drejtoheni KFOR-it  dhe NATO-s direkt”, ka thënë avokati Koci.

Po ashtu, sipas Kocit, propozimet nga ana e përfaqësuesit të paditurit, janë vetëm për zvarritjen e procedurës në këtë gjykatë.

Gjykatësja e rastit, Ganimete Puka, ka aprovuar propozimin e avokatit Berisha duke i dhënë afat prej 15 ditësh që  t’i sjell provat e propozuara dhe aprovuara nga gjykata.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 26 nëntor 2018, në ora 13:00.

Ndryshe, as në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë kryeministri Haradinaj dhe as kryetari i Pejës, Muhaxheri, të cilët që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor vazhdimisht i janë shmangur përballjes së tyre në gjykatë.

Sipas padisë së ushtruar më 3 nëntor 2015, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si paditës, pretendon se është fyer dhe i është cenuar personaliteti dhe prestigji i tij, nga i padituri Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “De Standard”.

Sipas pretendimeve të padisë, i padituri Muhaxheri gjatë një interviste të dhënë në të përditshmen austriake “Der Standard”, me një gjuhë denigruese për Haradinajn ka shpifur duke e ndërlidhur të njëjtin më biznese të pompave të benzinës dhe me lojërat e fatit, po ashtu edhe me disa përleshje që kane ndodhur pas luftës në Kosovë.