AVDULLAH LOHAJ DËNOHET ME DY VITE BURG DHE 2000 EURO GJOBË PËR LËNDË NARKOTIKE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Avdullah Lohaj është dënuar me dy vite burgim dhe 2000 euro gjobë për veprat penale “krim i organizuar” lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”. Ky aktgjykim është shpallur të mërkurën nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ibrahim Idrizi në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Para shpalljes së aktgjykimit, në këtë seancë, i akuzuari Lohaj, deklaroi se nuk e pranon fajësinë dhe nuk ndihet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet nga Prokuroria Speciale. Pas deklarimit të të akuzuarit dhe pas shqyrtimit të provave, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Merita Dina-Rugova, tha se mbetet pranë aktakuzës dhe ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarin ta shpall fajtor për veprën penale e cila e rëndon dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avdullah Lohaj, avokati Avni Ibrahimi, në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar nga trupi gjykues që për shkak të provave jo të mjaftueshme dhe të pabaza të paraqitura nga prokurorja, i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuzat që e rëndojnë.

Trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit, në emër të popullit bëri shpalljen e aktgjykimit dënues, duke theksuar se i akuzuari Avdullah Lohaj shpallet fajtor për veprën penale “krim i organizuar” nga neni 274 paragrafi 1 si dhe për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike” nga neni 229 paragrafi 4 nënparagrafi 1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Ky proces gjyqësor është zhvilluar sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2010 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ku Avdullah Lohaj akuzohet se gjatë muajit qershor 2010, bashkë me të akuzuarin Ilaz Kurtaliqi (i cili gjendet në vuajtje të dënimit), Fatmir Neziri, i cili është liruar me aktgjykim të formës së prerë, dhe me të pandehurit  Gëzim Rraci dhe Muhamet  Mazreku, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar  dhe i organizuar, me qëllim të përfitimit  të drejtëpërdrejtë të dobisë pasurore ka kryer vepër penale – ofrimi për shitje të narkotikëve të rrezikshëm, në atë mënyrë që i pandehuri Gëzim Rraci i ka organizuar dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi, kështu që në Zvicër i’a ka dhënë të akuzuarit Ilaz Kurtaliqi veturën e vet dhe sipas marrëveshjes paraprake të njëjtin e ka dërguar në Kosovë që të blej rreth 7.5 kilogram narkotikë të llojit heroinë dhe pastaj t’i transportoj për në Zvicër për shitje, ashtu që të pandehurit Ilaz Kurtaliqi pas ardhjes së tij në Kosovë me atë veturë, i pandehuri Gëzim Rraci personalisht ia ka sjellë edhe të hollat për blerjen e drogës në shumë prej rreth 34.000 euro, për të cilat pastaj i akuzuari Ilaz Kurtaliqi, në Ferizaj e ka kontaktuar të pandehurin Avdullah Lohaj dhe Fatmir Neziri të cilët i kanë ofruar heroinë për shitje, ashtu që 18 qershor 2010 i pandehuri Avdullah Lohaj me telefon e ka kontaktuar të akuzuarin Ilaz Kurtaliqi duke kërkuar që të takohen, dhe pasi janë takuar bashkë kanë shkuar në shtëpinë e të pandehurit Avdullah, në Ferizaj.

I pandehuri Avduallah Lohaj ia ka mundësuar të akuzuarit Ilaz që të provoj edhe mostrën e heroinës të cilën e ka ofruar për shitje dhe atë 3 kilogram të heroinës  me çmim nga 10.000 euro për kilogram, ndërsa pas konsultimeve telefonike me të pandehurin Gëzim Rraci, i akuzuari Ilaz, për këtë shumë të të hollave disa ditë më vonë i ka blerë gati 7 kg heroinë , mirëpo më 25 qershor 2010 nga ana e policisë është zënë me këtë drogë në bunkerin e fshehur në veturën e tij me të cilën po e transportonte atë, e me të cilën ishte nisur për në Zvicër.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë