Avancohen tre gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, në mesin e tyre edhe ish-kryesuesi i KGJK-së

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 289-të, të mbajtur të enjten, ka bërë përzgjedhjen e tre gjyqtarëve për avancim në Gjykatën e Apelit, pozitë të cilën do ta ushtrojnë tash e tutje, ish-kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj dhe gjyqtaret Kadrije Goga – Lubishtani  dhe Naime Ahmeti.

Mandati për gjyqtarët Çoçaj dhe Ahmeti do të fillojë nga 1 korriku 2022, ndërsa gjyqtarja Goga- Lubishtani mandatin në këtë pozitë do ta fillojë më 1 gusht 2022, për shkak të angazhimit të saj me disa lëndë në Gjykatën Themelore të Ferizajt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vërejtje lidhur me kandidatët e rekomanduar të Panelit ka paraqitur anëtari i KGJK-së, gjyqtari Avni Mehmeti, i cili tha se paneli nuk duhet të rekomandojë vetëm nga një kandidat për një pozitë, pasi sipas tij nëse rekomandohet vetëm një kandidat për një pozitë kemi të bëjmë me emërim e jo me zgjedhje të tyre.

Anëtari Mehmeti pati vërejtje edhe rreth vlerësimit të performancës së ish-kryesuesit të KGJK, Skender Çoçaj, pasi i njëjti është vlerësuar shkëlqyeshëm nga Komisioni Ad-hoc për vlerësimin e performancës.

Sipas tij, performanca e ish- kryesuesit Çoçaj nuk ka qenë e mirë sa ka qenë kryesues i KGJK i njëjti, pasi siç tha ai shumë pozita në gjykata gjatë asaj kohe kishin mbetur vakante, e këtu Mehmeti përmendi procesin paraprak të rekrutimit të gjyqtarëve i cili kishte zgjatur më shumë se dy vjet.

Mangësi sipas tij kishte pasur edhe në vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe këto vërejte ai tha se i kishin paraqitur edhe organizatat që e monitorojnë punën e Këshillit në të kaluarën.

Sipas anëtarit Mehmeti, edhe votimi i ish-kryesuesit Çoçaj në këtë pozitë mund të paraqes konflikt interesi pasi me të njëjtin kanë qenë si koleg në Këshill.

Mendim tjetër rreth kësaj çështje pati anëtari i KGJK-së, Vilard Bytyqi, i cili tha se sa i përket konfliktit të interesit për ish-kryesuesin Çoçaj tani ka një opinion nga Anti Korrupsioni për raste tjera dhe se sipas tij avancimi i Çoçajt nuk përbën konflikt interesi për pozitën gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Pas diskutimeve, anëtari Mehmeti ka votuar kundër avancimit të ish-kryesuesit Çoçaj në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, më 24 shkurt 2022, KGJK ka shpallur konkursin e brendshëm për tri pozita të lira për gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Ky konkurs është organizuar në bazë të Rregullores nr.01/2014 për Procedurën e Ngritjes në Detyrë të Gjyqtarëve (e ndryshuar dhe plotësuar).

Për këto pozita kanë kandiduar 24 gjyqtarë të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës, mirëpo pas publikimit të listës përfundimtare të kandidatëve që i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar procesit të intervistimit, shtatë prej tyre ishin tërhequr nga kjo garë.

Gjyqtarët e mbetur në garë ishin intervistuar nga paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidateve, i përbërë nga kryetari i Gjykatës Supreme/kryetar i panelit, Enver Peci, zëvendëskryesuesi i KGJK-së/anëtari i panelit, Qerim Ademaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Drita Rexhaj,  anëtarja e KGJK-së/anëtarja e panelit, Teuta Ibrahimi dhe gjyqtari i Gjykatës se Apelit/anëtari i panelit, Afrim Shala.

Ndërsa, gjyqtarët të cilët ishin tërhequr nga gara ishin gjyqtarët Atdhe Berisha, Binak Duqi, Sabedin Mushica, Suzana Çerkini, Adnan Konushevci, Alajdin Tershnjaku, Kymete Kicaj, Mentor Hajraj, Mevlide Kosumi-Qarri dhe Saranda Bogaj (e avancuar në dhomën e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale), të cilët nuk kanë prezantuar fare në intervistim sipas orarit të përcaktuar nga Paneli Intervistues.

Ndryshe, procesi i intervistimit të gjyqtarëve për ngritje në detyrë kishte filluar më 27 maj 2022, proces ky i monitoruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) deri në fazën finale. /BetimipërDrejtësi  

Shënim: Të gjitha takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) monitorohen nga “Betimi për Drejtësi”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë