Asnjë seancë e natyrës urgjente në Gjykatën e Istogut, pritet të filloi dezinfektimi i objektit

Istog
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Mars 25, 2020

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, nuk është mbajtur asnjë seancë e natyrës urgjente që nga marrja e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që në Gjykatat Themelore dhe degët e saj të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente.

Këtë gjë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbikëqyrësi i kësaj gjykate, Arben Mustafaj.

“Ende nuk ka asnjë raste të natyrës urgjente në Gjykatën e Istogut. Para pak çasteve kam biseduar me gjyqtarin kujdestar nga departamenti penal, Gani Rugova, e po ashtu me dy gjyqtarët nga departamenti civil, të cilët ma lajmëruan se nuk ka asnjë seancë të natyrës urgjente, që nga vendimi i KGJK-së”, ka thënë Mustafaj.

Po ashtu, gjykatësi Mustafaj, ka deklaruar se në objektin e Gjykatës së Istogut pritet të bëhet dezinfektimi i saj, si masë mbrojtëse nga virusi tashmë pandemik, Covid-19, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus në Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  kishte marrë vendim për reduktimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të KGJK-së dhe atyre të Gjykatave të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KGJK kishte bërë të ditur se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë  gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

“Ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu, KGJK kishte autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së që të reduktojë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojnë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit.

“Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit Gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik”, thuhej në vijim të njoftimit.

Ky vendim ka hyrë në fuqi me 16 mars dhe masat e theksuara në këtë vendim do të vlejnë deri në një vendim të ri të KGJK-së. /BetimipërDrejtësi