Asamblistja e Alternativës në Gjakovë pranon fajin për mos raportim të pasurisë

Drita Zhaveli  foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 14, 2020

Gjakovë – Asamblistja e Kuvendit Komunal në Gjakovë, nga subjekti politik “Alternativa”, Drita Buza-Zhaveli e ka pranuar fajësinë për mos raportim të pasurisë.

Në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Zenelaj, e akuzuara Buza-Zhaveli është deklaruar fajtore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta deklaroi se ka qenë gabim i saj, pasi tha se e ka deklaruar pasurinë tre ditë pas afatit ligjor dhe se shkak i kësaj vonese ka qenë fakti se ka qenë e sëmurë, për çka edhe e ka njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsion, mirëpo tha se të njëjtit nuk e kanë marrë për bazë.

Prokurori Zenelaj nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës.

Gjykatësi Drilon Haraçia e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, kurse shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për në ora 13:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 20 gusht 2019, Drita Buza-Zhaveli po ngarkohet me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga 1 marsi 2019 e deri më 31 mars 2019, e akuzuara Buza-Zhaveli, në cilësinë e Këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, funksion i cili kualifikohet në kuadër të zyrtarëve të lartë publik, sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Dhuratave të gjithë personave zyrtarë, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin e rregullt ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik, përkundër faktit se ka qenë e informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë. /BetimipërDrejtësi