Asamblistja e Alternativës në Gjakovë dënohet me gjobë për mos raportim të pasurisë

Drita Zhaveli foto2
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 14, 2020

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, e ka shpallur fajtore asamblisten e Kuvendit Komunal në Gjakovë, nga subjekti politik “Alternativa”, Drita Buza-Zhaveli, për mos raportim të pasurisë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, e akuzuara Buza-Zhaveli është dënuar me 400 euro gjobë.

E akuzuara është obliguar që t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumën e përgjithshme prej 60 eurosh.

Sipas gjykatësit Haraçia, palët e pakënaqura me këtë aktgjykim mund të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur, pasi e akuzuara e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 20 gusht 2019, Drita Buza-Zhaveli po ngarkohet me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga 1 marsi 2019 e deri më 31 mars 2019, e akuzuara Buza-Zhaveli, në cilësinë e Këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, funksion i cili kualifikohet në kuadër të zyrtarëve të lartë publik, sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Dhuratave të gjithë personave zyrtarë, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin e rregullt ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik, përkundër faktit se ka qenë e informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë. /BetimipërDrejtësi