Asamblisti në Prizren dënohet me 400 euro gjobë për korrupsion

Raporton: Floridin Osmanaj

Prizren – Edis Aljilji, i akuzuar se si këshilltar i koalicionit VAKAT në Asamblenë Komunale në Prizren nuk e ka deklaruar pasurinë për vitin 2017, është dënuar me 400 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 15 nëntor 2021, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”,

Në aktgjykim thuhet se gjatë pranimit të fajësisë, Aljilji ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni se me emërimin si zyrtar komunal duhej ta bënte një gjë të tillë.

Aty thuhet se i njëjti ka thënë se nuk e ka pasur qëllim të mos e deklarojë apo ta fsheh pasurinë e tij, por që ka ndodhur për shkak të gabimit dhe pa vullnetin e tij.

“Sipas detyrës zyrtare gjykata, konform nenit 257 të KPP-së, nuk gjeti se ekziston ndonjë provë e papranueshme, në tërësi ka vërtetuar se i akuzuari ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë për veprën penale e cila i vihet në barrë e që pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe pa kushtëzime, Pranimi i fajësisë mbështetet në fakte dhe prova materiale të cilat janë paraqitur në aktakuzë, për të cilat i akuzuari ka qenë i njoftuar me kohë me të gjitha provat”, thuhet në vendimin e Gjykatës themelore në Prizren.

Tutje, në aktgjykim thuhet se gjatë marrjes së vendimit mbi dënimin ndaj të akuzuarit, gjykata vlerësoi të gjitha rrethanat që ndikojnë në zgjedhjen e llojit dhe lartësisë së dënimit.

“Gjatë vendosjes mbi dënimin, gjykata nuk ka gjetur ndonjë rrethanë të veçantë rënduese e cila do të ndikonte në llojin dhe lartësinë e dënimit, ndërsa si rrethana tejet lehtësuese ka konsideruar pranimin e fajësisë”, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Aljilji obligohet që pagesën e gjobës prej 400 euro ta bëjë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në rast të mospagesës, thuhet se gjykata do t’ia zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burg, ku për një ditë burgim llogaritet shuma prej 20 euro.

Kurse pala e dëmtuar, Agjencia kundër Korrupsionit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civilo-juridik.

Aljilji gjithashtu është ngarkuar me shpenzimet procedurale dhe atë, shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 30 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Edis Aljilji nga 1 marsi e deri më 31 mars 2018, në pozitën e këshilltarit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk e bën deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

Sipas aktakuzës, ai nuk deklaron pasurinë e tij për periudhën e vitit 2017, edhe pse këtë është dashur ta bëjë deri më 31 mars 2018, përkundër asaj që i njëjti ka qenë i njoftuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë